Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti ka kritikuar reagimin e institucioneve ndaj të rinjve.
Sipas tij, studentët janë braktisur nga ata që duhej t’i mbronin dhe janë dhunuar para institucionit që duhet të përfaqësojë interesat e tyre.
“Janë braktisur nga ata që duhet ti kishin mbrojtur, janë rrahur te kangjellat para shtëpisë së tyre, janë dhunuar para shtëpisë së tyre, se MAS është shtëpia e tyre”, tha ai.
I pyetur nëse priste një dorëheqje, Mehmeti u përgjigj: Jo kurrë se nuk ka ndjeshmëri.
Ai theksoi se informacionet që vijnë nga terreni duhet të verifikohen dhe të mbështeten në prova, ndërsa paralajmëroi për rrezikun e trajtimit të protestuesve në mënyrë arbitrare.
Mehmeti kritikoi gjithashtu qeverinë për mosrealizimin e angazhimeve ndaj studentëve, duke përmendur bibliotekën elektronike, kampusin, plagjiaturën, renditjen e programeve të studimit dhe përmirësimin e kushteve universitare.
“Kanë dalë në protestë. Ata nuk kanë dalë me synimin që të vrasin dikë apo të gjuajnë dikë, por ti i ke vënë me shpatulla pas murit”, u shpreh ai, duke i bërë thirrje kryeministrit të japë llogari për premtimet e pambajtura.
Për thirrjen e presidentit Bajram Begaj për dialog, ai tha se roli i kreut të shtetit është i kufizuar dhe se ndërhyrja e tij nuk ka sjellë rezultat për studentët e Mjekësisë.
“Po nuk ka ç' bën president. Presidenti është thjesht është një këshillues. Kush i thotë? Presidenti kishte në dorë të mos dekretonte të mjekësisë, që ja rrëzoi Gjykata Kushtetuese. E dekretoi”.
Mehmeti u shpreh krenar dhe i emocionuar nga qëndrimi i të rinjve, duke theksuar se protestat kanë treguar se studentët nuk janë të nënshtruar dhe se institucionet duhet të tregojnë më shumë kujdes ndaj tyre.
(A2 Televizion)