Mjeku :Terapia hormonale nuk duhet t’u ofrohet fëmijëve, ja çfarë thotë studimi shkencor

Nga A2 CNN
31 Maj 2026, 22:08 | Aktualitet

Mjeku :Terapia hormonale nuk duhet t’u ofrohet fëmijëve, ja

Mjeku Erion Dasho, i ftuar në emisionin “Terminal” me Aurora Sulçen, ka shprehur qëndrimin e tij kundër ofrimit të terapive hormonale për fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 18 vjeç, duke argumentuar se vendime të tilla kërkojnë kujdes maksimal dhe mbështetje në prova shkencore.

Gjatë diskutimit, Dasho theksoi se fenomeni i personave që shfaqin pasiguri ose dyshime mbi identitetin e tyre gjinor është një realitet që prek shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Megjithatë, ai insistoi se debati duhet të ndahet qartë mes të rriturve dhe të miturve.

“Për personat mbi moshën 18 vjeç, ligji u njeh të drejtën të marrin vendime për jetën e tyre dhe kjo përfshin edhe identitetin gjinor që dëshirojnë të kenë. Por unë kam kundërshtuar vazhdimisht përfshirjen e fëmijëve në trajtime të tilla dhe në këtë pikë jam i prerë”, u shpreh ai.

Dasho kritikoi gjithashtu deklaratat e zëvendësministres së Shëndetësisë, duke pretenduar se publiku nuk është informuar saktë mbi përmbajtjen e udhëzimit përkatës. Sipas tij, dokumenti parashikon përfshirjen e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në zbatimin e vendimit, çka, sipas interpretimit të tij, nënkupton edhe mundësinë e rimbursimit të këtyre trajtimeve.

“Zëvendësministrja përmendi disa të pavërteta në daljen e saj. E para lidhet me çështjen e rimbursimit. Vendimi e përcakton qartë se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është një nga entitetet e ngarkuara për zbatimin e tij. Kjo do të thotë se këto trajtime do të rimbursohen nga fondi. Këtu zëvendësministrja nuk duhet të dizinformojë opinionin publik.

E dyta, ajo nuk përmendi faktin se në udhëzimin që ka miratuar ekziston një paragraf i veçantë për fëmijët dhe për tranzicionin gjinor të tyre në lidhje me trajtimet hormonale. Kjo është një skandal dhe, për mendimin tim, pjesa më e rëndë e gjithë kësaj historie. Pra, fëmijët janë pjesë e udhëzimit dhe kjo është e papranueshme.

Së treti, zëvendësministrja përmendi një tjetër të pavërtetë të madhe kur foli për grupin multidisiplinor. Në këtë udhëzim nuk ka asnjë grup multidisiplinor. Janë vetëm dy mjekë endokrinologë që kanë firmosur si grup pune”, u shpreh Dasho. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos