Moderatorët firmosin live peticionin për projektligjin për mbështetje shtetërore të trajtimeve mjekësore të fëmijëve

Nga A2 CNN
1 Qershor 2026, 08:45 | Aktualitet

Në Ditën e Fëmijëve, sot më 1 qershor, moderatorët e A2 CNN Bora Shahini dhe Rei Bezhani i janë bashkuar nismës duke firmosur live peticionin që kërkon mbështetje shtetërore për trajtimet mjekësore të fëmijëve, duke i bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë nismë.

Aktivistja Suela Koçibelli dhe terapistja Emi Shehu ndanë në Dita Jonë formularin e peticionit, duke theksuar se kjo dhurata më e bukur që mund t’u bëhet fëmijëve është garantimi i jetës dhe shëndetit të tyre.

“Dhurata më e bukur që mund t'i bëjnë fëmijëve tanë është garantimi i jetës së tyre dhe jetën e tyre e garantojnë përmes një shërbimi shëndetësor të duhur, të cilin në të gjitha rastet që vendi jonë nuk arrin do t'ia mbulojë fëmijëve tanë në spitalet shtetërore, t'u financojë këtë gjë kudo tjetër, në privat apo jashtë Shqipërisë. Rëndësi ka që të kemi fëmijë të sigurt”, u shpreh Koçibelli, raporton A2 CNN.

Moderatorët nënshkruan peticionin gjatë transmetimit, duke e cilësuar si një gjest simbolik, por me rëndësi të madhe për mijëra familje që përballen me sfida të vështira shëndetësore.

Koçibelli bëri të ditur se nisma synon mbledhjen e 20 mijë firmave. Ajo njoftoi se gjatë ditës do të vijojnë aktivitetet për mbledhjen e firmave në qendër të  Tiranës, ku do të jetë i pranishëm edhe Avokati i Popullit.

“Unë që ne të kemi firmat e 20 mijë qytetarëve. Tashmë ditët po shkojnë drejt fundit, sepse ka një limit edhe për mbledhjen e firmave. Sot do jemi në qendër të Tiranës. Është bashkuar dhe Avokati i Popullit dhe në orën 11:00 do të jemi aty në godinë dhe diku aty rrotull për të mbledhur firma. Është një moment për t'i bërë thirrje gjithë qytetarëve me urimin dhe me shpresën që ata kurrë mos të kenë sfida me fëmijët e tyre”, theksoi aktivistja, shkruan A2 CNN.

Edhe terapistja Emi Shehu theksoi se ky është akt domethënës në ditën e fëmijëve.

“Është akti më i vogël që mund të bëjmë sot në datën 1 qershor. Është një gjest minimal dhe shumë konsolidues në këtë ditë sot. Aq më tepër për të gjithë ata prindër që janë ndeshur me të tilla situata edhe që janë në sfida të tilla”.

Pas peticionit, biseda në studio u përqendrua te sfidat e prindërve në zgjedhjen mes çerdhes, kujdesit nga gjyshërit apo alternativave të tjera për rritjen e fëmijëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos