Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që u regjistrua në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, ku babai kishte marrë peng 2 fëmijët e mitur dhe qëllonte me kallashnikov nga dritarja. Nga hetimet ka rezultuar se babai 40-vjeçar ishte nën efektin e lëndëve psikotrope. Ai jetonte në Lezhë, por kishte marrë së fundmi një apartament me qira në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ku dhe ndodhi ngjarja.
Në banesë kanë qenë vetëm 2 fëmijët, pasi gruaja kishte marrë urdhër mbrojtjeje. Në njoftim bëhet me dije se Policia e Lezhës ka referuar çështjen në Prokurori për dy kërkesa për urdhër mbrojtjeje për bashkëshorten, më konkretisht në datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, por në asnjërën prej tyre, ajo nuk është paraqitur.
Ndaj tij, rëndojnë akuzat për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali, 40-vjeçari ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.
"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 02:30, të datës 15.05.2024, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ku shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë, u neutralizua nga shërbimet “RENEA”, në bashkëpunim me ato të Policisë së Durrësit, pasi mbajti peng 2 fëmijët e tij të mitur (6 dhe 11 vjeç), në një apartament të marrë me qira dhe qëlloi nga dritarja me armë zjarri kallashnikov, ju infomojmë se:
Pas shoqërimit të tij në ambientet e Policisë, u kryen veprimet procedurale dhe në përfundim të tyre u bë arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit A. M., shtetasen B. M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë.
Gjithashtu, përsa i përket gjendjes penale të shtetasit A. M., ju informojmë se pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.
Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme, rrethanat e tjera të këtij rasti", njofton Policia. (A2 Televizion)