Mot i keq me erëra të forta dhe dallgë, Kapiteneria e Vlorës ndalon lundrimin e mjeteve të vogla

Nga A2 CNN
23 Korrik 2026, 16:17 | Aktualitet

Mot i keq me erëra të forta dhe dallgë, Kapiteneria e Vlorës

Kapiteneria e Vlorës ka njoftuar për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike në det nga ora 14:00 e datës 24 korrik deri në orën 06:00 të 25 korrikut. Sipas njoftimit priten erëra me forcë 6-7 ballë dhe dallgë deri në 3.5 metra.

Për këtë arsye, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit jashtë gjirit të Vlorës, ndërsa mjetet që operojnë brenda gjirit duhet të tregojnë kujdes të shtuar.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar do të vijojnë lundrimin normalisht.

NJOFTIM I KAPITENERISË VLORË PËR KUSHTET HIDROMETEOROLOGJIKE TË PËRKEQËSUARA 

Datat: 24 – 25 Korrik 2026

Në bazë të parashikimit për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike detare brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, duke filluar nga ora 14:00 e datës 24.07.2026 deri në orën 06:00 të datës 25.07.2026, në drejtimin VERI–VERIPERËNDIM me forcë ere deri 6–7 bft (15–25 m/s) dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri 3.50 metra, ju bëjmë me dije me si më poshtë :

1.Është ndaluar pajisja me leje-nisje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë gjirit të Vlorës, në det të hapur dhe zonën Dhërmi–Himarë, gjatë periudhës së mësipërme.

2.Mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit brenda gjirit të Vlorës duhet të marrin në konsideratë kushtet e përkeqësuara dhe të veprojnë me kujdes të shtuar.

3.Subjektet dhe institucionet që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë kërkohet të bashkëpunojnë për marrjen e masave të nevojshme, duke siguruar mjetet në port dhe duke rritur gatishmërinë e ekuipazheve.

4.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

5.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 25.07.2026. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos