E gjithë juglindja e vendit është përfshirë gjatë orëve të natës dhe atyre të mëngjesit nga erëra të forta, të shoqëruara me reshje dëbore dhe temperatura të ulëta.
Vështirësi janë hasur në qarkullimin e mjeteve, kryesisht në rrugët që lidhin qendrat urbane me fshatrat, por edhe në akset nacionale, ku herë pas here qarkullimi është ngadalësuar për shkak të erërave të forta që hidhnin dëborë në rrugë. Firmat kontraktuese kanë qenë në terren, duke garantuar mosbllokimin e akseve nacionale, shkruan A2. Megjithatë, drejtuesve të mjeteve u bëhet apel për kujdes dhe përdorimin e gomave dhe mjeteve të tjera dimërore.
Reshje dëbore të shoqëruara me temperatura nën zero ka pasur edhe në veriun dhe verilindjen e vendit. Në qarqet e Shkodrës dhe Kukësit, në lartësitë mbi 600 metra, trashësia e dëborës i kalon 10 cm. Firmat kontraktuese po punojnë për mbajtjen të hapura të akseve, kryesisht në zonat malore dhe drejt fshatrave turistike Bogë, Theth, Valbonë, etj.
Reshjet e dëborës dhe era kanë lënë pa furnizim me energji elektrike mbi 1 mijë familje nga juglindja deri në veri të vendit, kryesisht për shkak të rrëzimit të shtyllave të tensionit të ulët dhe linjave të transmetimit në zonat malore. (A2 Televizion)