Nënshkruhet deklarata e dialogut mes rrjeteve rregullatore dhe platformave të mëdha

Nga A2 CNN
25 Prill 2024, 20:41 | Aktualitet

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare me temë, dialogu midis rregullatorëve dhe platformave kryesore online, të organizuar nga Rrjeti Frankofon i Rregullatorëve të Medias.

Gjatë Konferencës së organizuar në Abixhan, në Bregun e Fildishtë, Krasniqi drejtoi panelin me temë, "Iniciativat shumëpalëshe të së ardhmes, për rregullimin e platformave të mëdha", ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të UNESCO-s, Rregullatorit Belg, anëtar të bordit ekzekutiv të Rregullatorëve të BE-së dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Gjatë fjalës së saj, Krasniqi vuri theksin te Udhëzimet e UNESCOS-s duke nënvizuar se për platformat numerike online, Google, META, TikTok, X, duhet pranuar propozimi që rregulloret e tyre nuk duhet të ndërhyjnë drejtpërdrejt në përmbajtje specifike, por të fokusohen në proceset që platformat përdorin për të menaxhuar përmbajtjen.

Sipas Krasniqit, kjo qasje ndihmon në shmangien e censurës, ndërkohë që siguron që operacionet e platformave të përputhen me standardet e të drejtave të njeriut.

Ajo vlerësoi rëndësinë që këto Udhëzime i kushtojnë transparencës dhe llogaridhënies në kërkesat për platformat për të bllokuar ose hequr përmbajtjen, duke siguruar që këto kërkesa të justifikohen dhe të përputhen me parimet e të drejtave të njeriut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos