“Nis një vatër tjetër zjarri te Farmacia 10, gazetari: Në rrezik edhe një biznes

Nga A2 CNN
14 Prill 2026, 20:26 | Aktualitet

Vijon ende të jetë alarmante situata nga zjarri pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku një pallat i tërë u përfshi nga flakët. Gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta, i cili ndodhet prej afro katër orësh në vendngjarje raporton për Off the Record me Andrea Dangllin se një tjetër vatër zjarri ka shpërthyer në katin e tetë të kompleksit të banimit, duke detyruar forcat zjarrfikëse të ndërhyjnë sërish.

“Edhe pse para pak minutash autoritetet thanë zyrtarisht që zjarri është vënë nën kontroll, pak minuta më parë siç duket edhe nga pamjet e drejtpërdrejta që sjell A2 CNN nisi një tjetër vatër zjarri në katin e tetë të këtij kompleksi banimi. Ka ende flakë dhe forcat zjarrfikëse nëpërmjet shkallëve janë ngjitur aty pranë dhe po luftojnë me flakët për shuarjen përfundimtare të tyre”, deklaroi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij flakët përhapen me shpejtësi për shkak të materialit të përdorur në fasadën e jashtme të pallatit, i njohur si “sistem kapot”, që favorizon përhapjen e shpejtë të zjarrit.

“Sipas komunikimeve që kam pasur me ekspertë të fushës së ndërtimit dhe inxhinierë ndërtimi, fasada e jashtme e këtij pallati është problematike për shkak se thënë në gjuhën e ndërtimit sistemi kapot është i ndërtuar nga një material i cili favorizon përhapjen e shpejtë të flakëve, çka ka sjellë edhe këto përmasa të jashtëzakonshme dhe dëme të mëdha materiale, si pasojë e këtij zjarri i cili ka nisur rreth tre orë e gjysmë më parë”, raportoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për viktima, ndërsa 7 persona kanë mbetur të lënduar, 4 qytetarë dhe 3 zjarrfikës, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Banorët janë evakuuar në kohë nga shërbimet e emergjencës, policia dhe forcat e ushtrisë.

Dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi jo vetëm fasada e pallatit është djegur plotësisht, por edhe ndërtesa ngjitur ka pësuar dëmtime. Sipas gazetarit të A2 CNN, ekziston rreziku që flakët të përfshijnë edhe një biznes në zonë.

“Nga informacionet që kam rrezikon të përfshihet nga flakët edhe një biznes tjetër, por situata është normale për momentin”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos