
Hetimet për zjarrin e fuqishëm që përfshiu një pallat 12-katësh në Tiranë po përqendrohen gjithnjë e më shumë te një pistë e re, ajo e përfshirjes së disa të miturve në momentet e para para shpërthimit të flakëve.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se zjarri mund të ketë nisur pranë një zone ku ishin vendosur kartona jashtë një marketi në katet e para të godinës. Pikërisht në këtë hapësirë, pak para se të shpërthenin flakët, dyshohet se janë parë disa të mitur.
Hetuesit po verifikojnë nëse veprimet e tyre mund të kenë qenë të lidhura me ndezjen aksidentale të zjarrit, por deri më tani nuk ka asnjë provë të konfirmuar që e vërteton këtë version. Policia thekson se për momentin bëhet fjalë vetëm për një pistë hetimore dhe jo për një përfundim.
Një nga problemet kryesore në zbardhjen e ngjarjes mbetet mungesa e pamjeve filmike që të fiksojnë momentin e saktë të nisjes së zjarrit. Për këtë arsye, grupi hetimor po mbështetet në dëshmi të banorëve dhe në verifikimin e kamerave të sigurisë në zonë.
Ndërkohë, ekspertët zjarrfikës po analizojnë edhe mundësi të tjera, si shkëndija elektrike apo materiale lehtësisht të djegshme të vendosura në ambientet e jashtme të marketit, të cilat mund të kenë ndihmuar në përhapjen e shpejtë të flakëve në fasadën e pallatit.
Policia nënvizon se përfshirja e të miturve mbetet ende e pakonfirmuar dhe se çdo variant do të vlerësohet vetëm mbi bazën e provave konkrete. Hetimet vijojnë në disa drejtime paralelisht, ndërsa autoritetet kërkojnë bashkëpunimin e qytetarëve që mund të kenë pamje apo informacion për momentet e para të ngjarjes. (A2 Televizion)