
Është bërë dokumentim real i akteve të dhunës ndaj institucioneve dhe bizneseve dhe nëse dhuna vazhdon policia do të vijojë me forcën e ligjit. Kështu u shpreh në një konferencë për mediat kreu i Policisë së shtetit Skënder Hita, i cili bëri thirrje për distancim nga dhuna.
“Që në momentet e para është bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë Tiranë dhe janë përfituar të gjitha pamjet filmike të personave që kanë kryer akte dhune, janë kapur në flagrancë brenda institucioneve që kanë dëmtuar dhe thyer biznese, edhe persona të tjerë që kanë dëmtuar biznese. Është bërë dokumentim real i veprës penale pavarësisht vendimit që ka gjykata për protestat”, u shpreh Hita, raporton A2 CNN.
Deri më tani janë 71 efektivë të plagosur, ndërsa policia sipas tij ka vepruar në përputhje me ligjin dhe procedurat.
"Proporcionaliteti i dhunës së ushtruar nga policia ka qenë në përputhje me ligjin dhe procedurat standarde që kemi. Janë mbi 71 policë të plagosur dhe kjo flet që ka patur dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe inistitucioneve. Në këtë rast është proporcionaliteti i duhur”.
Hita theksoi se kjo protestë e cila sipas tij ka tejkaluar çdo veprim dhune, nuk është organizuar nga studentët, shkruan A2 CNN.
“Nuk është organizim i studentëve. Ka tejkaluar çdo veprim dhune që është përhapur në gjithë qytetin dhe si rezultat i kësaj dhe u bëj thirrje të distancohemi nga dhuna. Nëse kjo dhunë vazhdon në këto përmasa jemi të angazhuar të vazhdojmë me forcën ligjit”. (A2 Televizion)