Përshkallëzohet protesta e të rinjve, sulmohet banka dhe digjen stacioni i autobusit e pemët pranë Muzeut Historik

Nga A2 CNN
15 Tetor 2026, 15:37 | Aktualitet

Protesta e të rinjve në Tiranë ka vijuar me akte dhune dhe dëmtime të shumta në hapësirat publike dhe subjektet private. Pas më shumë se gjashtë orësh marshimi në rrugët e kryeqytetit, protestuesit kanë shkaktuar dëme në zonën e 9 Katësheve, ku janë shkatërruar vitrina biznesesh, sinjalistika rrugore, semaforë dhe kioska.

Në një raportim nga vendngjarja gazetarja e A2 CNN Ornela Joti tha se protestuesit kanë thyer xhamat e një banke të nivelit të dytë, kanë hyrë brenda ambienteve të saj dhe kanë djegur dokumente, përmbajtja e të cilave ende nuk dihet. Dëmtime ka pësuar edhe bankomati i bankës.

“Një bankë e nivelit të dytë në këtë zonë u sulmua nga një grup të rinjsh. U shkatërruan xhamat, hynë brenda, kanë djegur letra. Nuk dihet se çfarë dokumentesh kanë qenë. Po ashtu edhe ATM-ja e kësaj banke. Deri para pak minutash ka qenë h i policisë i vendosur para kësaj banke të nivelit të dytë. Ajo që vlen të theksohet është që kjo zonë këtu të paktën për momentin është tërësisht kaotike".

Ndërkohë, në zonën pranë Muzeut Historik Kombëtar, një stacion autobusi është përfshirë nga flakët, të cilat janë përhapur edhe te pemët përreth. Gazetarja e A2 CNN Fjorela Beleshi raportoi për Ditarine Pasdites me Pandi se pranë zonës ndodhen edhe banesa, duke shtuar shqetësimin për përhapjen e tymit dhe rrezikun e zjarrit.

“I është vendosur stacionit të autobusit, fillimisht flakë dhe zjarr dhe më pas duket që ë shtëllungat e tymit të zi ka shkuar dhe zjarri ka shkuar deri tek pemët. Në rrezik janë të gjitha pemët. Ndërkohë që aty nuk kemi ende asnjë zjarrfikës dhe nuk dihet se si do i shkojë, si do jetë fati i saj, flakët janë mbi pemët tashmë. Gjithashtu koshat e plehrave vendosur në mes të rrugës për të mos lejuar të kalojë asnjë automjet përveçse autoambulancat. Afër stacionit të autobusit dhe flakëve që po shihni edhe nga objektivi i kamerës janë dhe banesa të cilat gjithë tymi do shkojë brenda në ambientet e tyre dhe shpresojmë që të mos as fiksohet ndonjëri, sidomos nëse në banesa ka të moshuar, por duket që nuk ka asnjë lëvizje për ta fikur zjarrin i cili ka marrë stacionin e autobusit”, raportoi gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi.

Qarkullimi rrugor është bllokuar në disa zona të kryeqytetit, ndërsa lëvizjet e protestuesve paraqiten të shpërndara dhe pa një itinerar të qartë.

Ndryshe nga institucionet shtetërore, të cilat janë mbrojtur nga forcat e policisë, gazetarja Ornela Joti raportoi se bizneset private kanë mbetur të ekspozuara ndaj sulmeve.

Sipas raportimeve, policia është përqendruar fillimisht pranë Kuvendit, më pas te selia e Partisë Socialiste dhe në zona të tjera institucionale.

“Policia e shtetit paraditen e sotme është vendosur në mbrojtje të institucioneve shtetërore. Më së shumti është përqendruar te parlamenti i Shqipërisë aty ku ishte lajmëruar zhvillimi i seancës parlamentare, por më pas u anulua. Më pas u vendosën te selia e Partisë Socialiste me zhvendosjen e të rinjve, ku pati një rrethim nga ana e policisë së shtetit e selisë së Partisë Socialiste dhe disi pranë Bankës së Shqipërisë. Por ajo që vihet re është që institucionet shtetërore kanë një mbrojtje nga forcat policore, gjë që nuk e shohim tek objektet apo tek bizneset private, ku policia gjithmonë ka rastisur të mbërrijë pasi ato janë shkatërruar. Kështu ka ndodhur me subjektet në rrugën e Durrësit, dhe në zonën e nëntëkatesheve të Tiranës”.

Ndërkohë, një grup biznesesh në Rrugën e Durrësit u ka bërë thirrje protestuesve të mos sulmojnë subjektet private, duke theksuar se ato janë ngritur me mundin e sipërmarrësve dhe nuk kanë lidhje me zhvillimet politike apo kërkesat e protestuesve.

Në protestën e ditës së tretë nuk janë përfshirë vetëm studentët, por edhe nxënës të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme, një pjesë e të cilëve kanë bojkotuar mësimin për t'iu bashkuar grumbullimeve në kryeqytet.

Pavarësisht apelit të ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, drejtuar nxënësve, studentëve dhe prindërve, protesta vijon, ndërsa situata në disa zona të Tiranës mbetet e tensionuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos