Pa prodhim dhe pa të ardhura, 300 hektarë kultura në ujë, fermerët e Maliqit apel për ndihmë

Nga Artin Halili
10 Maj 2026, 12:43 | Aktualitet

Mbi 300 hektarë me kultura bujqësore vijojnë të mbeten nën ujë në fushën e Maliqit. Situata më problematike paraqitet në zonën torfike, ku sipas autoriteteve vendore përmbytjet dhe zjarret kanë sjellë ulje të nivelit të tokës në qindra hektarë.

Nënkryetari i bashkisë, Eridjon Rustemi, shprehet se për të shmangur situata të tilla nevojiten investime të mëdha në sistemin kullues dhe vaditës, shkruan A2 CNN.

“Zona torfike ka pësuar ulje të nivelit të tokës për shkak të djegieve natyrale dhe përmbytjeve të vazhdueshme. Kjo bën që uji të qëndrojë për një kohë të gjatë në sipërfaqe. Për të shmangur përsëritjen e kësaj situate duhen investime të mëdha në infrastrukturën kulluese dhe mbrojtjen e tokave bujqësore”, tha Eridjon Rustemi, nënkryetar i Bashkisë Maliq, raporton A2 CNN.

Fermerët e fshatit Vreshtas shprehen të shqetësuar për dëmet në prodhimet bujqësore të mbjella këtë sezon. Sipas tyre, përmbytjet kanë lënë pa të ardhura shumë familje të tjera të zonës.

“Kemi humbur pothuajse gjithçka që kishim mbjellë. Uji nuk është larguar prej muajsh dhe dëmet janë shumë të mëdha për familjet tona.”

Përmbytjet në fushën e Maliqit nisën pas çarjes së dy argjinaturave të lumenjve Devoll dhe Dunavec në dhjetor të vitit të kaluar, ku u përmbytën mbi 4 mijë hektarë tokë. Edhe pse kanë kaluar pesë muaj nga ngjarja, mbi 300 hektarë vijojnë të mbeten ende nën ujë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos