Fermerët e vegjël të zonës së Frakullës në Fier, nga vit në vit jo vetëm që po ulin sipërfaqet e mbjella, por po mendojnë braktisjen e punëve në bujqësi. Shkak janë humbjet që shoqërojnë thuajse të gjitha kulturat bujqësore që ata mbjellin.
Këto ditë, këta fermerë i gjen duke mbledhur spinaqin dhe preshin. Çmimet me të cilat vijnë dhe ua marrin tregtarët e mëdhenj nuk justifikojnë as mundin dhe as shpenzimet, transmeton A2.
Për shkak se sipërfaqet që ata mbjellin nuk përmbushin kriteret për të përfituar subvencione, dhe në kushtet e mungesës së tregut dhe çmimit nën kosto, këta fermerë janë edhe të paorientuar mbi kulturat bujqësore që duhet të mbjellin, duke pësuar humbje të njëpasnjëshme ekonomike, që çojnë drejt falimentimit të tyre. (A2 Televizion)