
Pas zjarrit të rënë një ditë më parë në një hotel në Vlorë, ministri Blendi Gonxhja ka mbledhur Task Forcën Ndërinstitucionale e Sezonit Turistik 2026 për forcimin e masave të sigurisë në strukturat akomoduese, koordinimin ndërinstitucional dhe garantimin e një reagimi të menjëhershëm në çdo situatë emergjente gjatë sezonit turistik.
Task Forca nënvizoi se siguria e pushuesve, qytetarëve dhe punonjësve të sektorit turistik është e panegociueshme dhe kërkon respektim rigoroz të standardeve nga çdo strukturë që ushtron aktivitet në sektorin e turizmit.
Në këtë kuadër, u kërkua intensifikimi i kontrolleve në strukturat akomoduese në të gjithë territorin, me vëmendje të veçantë ndaj respektimit të kushteve teknike dhe masave të mbrojtjes nga zjarri, funksionimit të sistemeve dhe pajisjeve të sigurisë, daljeve të emergjencës, sinjalistikës dhe planeve të evakuimit.
Gjithashtu, institucionet përgjegjëse u ngarkuan të forcojnë koordinimin në terren dhe shkëmbimin e informacionit, në mënyrë që evidentimi i çdo problematike të pasohet nga ndërhyrje e shpejtë dhe masa konkrete.
Në mbledhje u theksua nevoja që kontrollet të shoqërohen edhe me një komunikim të drejtpërdrejtë me operatorët turistikë, për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgjegjshmërisë në zbatimin e standardeve të sigurisë.
Task Forca vlerësoi gjithashtu reagimin solidar të komunitetit të biznesit turistik në Vlorë, si një shembull të përgjegjësisë dhe bashkëpunimit që duhet të karakterizojë sektorin, veçanërisht në situata të jashtëzakonshme.
Institucionet shtetërore do të vijojnë monitorimin e situatës gjatë gjithë sezonit turistik, me prezencë të shtuar në destinacionet me fluks të lartë dhe me masa të menjëhershme ndaj çdo rasti që cenon standardet e sigurisë dhe cilësinë e shërbimit. (A2 Televizion)