Përmbytjet në Durrës, dhjetëra hektarë tokë bujqësore ende nën ujë

Nga Gazmend Janku dhe Elitjona Doko
23 Janar 2026, 15:17 | Aktualitet

Ujërat që shkaktuan përmbytjet e fillimvitit në qarkun e Durrësit ende nuk janë tërhequr plotësisht nga tokat bujqësore të qindra fermerëve, duke lënë pas shkatërrime të mëdha në bujqësi dhe blegtori.

Sipërfaqe të tëra të mbjella me grurë dhe kultura të tjera bujqësore janë dëmtuar rëndë, ndërsa fermerët thonë se nuk kanë më as kullota për të ushqyer bagëtitë. Ata kërkojnë nga shteti ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e kanaleve kulluese dhe sigurimin e ushqimit për blegtorinë.

“Çfarë kërkojmë nga shteti? Vetëm pastrimin e kanaleve. Asgjë tjetër”, shprehet një prej fermerëve të zonës. Sipas tij, kanalet kulluese nuk janë pastruar prej vitesh. “Kam 33 vjet këtu dhe asnjëherë nuk i kam parë kanalet të pastruara. Ndonjëherë i kemi pastruar vetë”, thotë ai.

Fermerët raportojnë humbje të mëdha ekonomike. “Kam pesë dynymë grurë dhe 20 dynymë jonxhë që qëndruan tre ditë nën ujë. Kam pasur edhe bagëti, dy lopë me viça dhe pesë dele, që janë detyruar t’i çoj në vende të huaja”, tregon një tjetër fermer për A2.

Situata mbetet problematike sa herë ka reshje të dendura, pasi infrastruktura kulluese nuk funksionon. “Edhe tagjia është përmbytur. Kanalet janë të bllokuara, hidrovori i Hamallës nuk punon. Po të punonte, do ta largonte ujin”, shprehen banorët.

Sipas bilancit paraprak të verifikimeve në terren, mbi 7 000 hektarë tokë bujqësore dhe rreth 5 200 banesa janë përmbytur në qarkun e Durrësit. Ndërkohë, ende nuk ka një afat të qartë se kur fermerët do të kompensohen për dëmet e shkaktuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos