“Plagjiatura është bërë normalitet”, Muka nxjerr emrat e rektorëve dhe dekanëve që kanë kopjuar

Nga A2 CNN
15 Qershor 2024, 14:15 | Aktualitet

Universiteti është i zaptuar nga njerëz që e kanë ndërtuar karrierën akademike mbi falsifikimin, ku i paafti nuk i lë zë të aftit. Është ky denoncimi i ish-zv.ministrit të Arsimit, Taulant Muka, i cili ka kallëzuar në institucionet përkatëse, plagjiaturat e rektorëve dhe dekanëve të universitetit të Tiranës. Duke folur me emra konkretë; nga rektori i Tiranës tek kandidati për rektor i Durrësit, ai tha se këta kanë bërë që të largohet truri nga vendi ynë. Sipas Mukës nuk bëhet fjalë për një problem etik dhe moral, por edhe ligjor.

“Rektori aktual Artan Hoxha ka kopjuar një punim në Rumani dhe nuk njeh gjuhën rumune, pikëpyetje që ngrihet është kush e ka përkthyer këtë artikull, dekania e juridikut, e ka kopjuar nga një doktoraturë në Itali. Kemi z. Dosti i Ekonomikut ka dy artikuj copy paste. Kemi edhe tek universiteti i Durrësit, kandidati për rektor Shkëlqim Fortuzi i kemi gjetur një artikull 100% kopje dhe dy kandidatë të tjerë po kështu edhe te Fakulteti i Shkencave të Natyrës me artikuj të kopjuar. Plagjiatura është vjedhje, është mashtrim. Këta kandidatë nëse kanë ndërtuar karrierën mbi kopjen kanë mashtruar. Ka një problem etik e moral, por edhe ligjor. Ne duhet të punojmë shumë si shoqëri  për të parë ku jemi me sistemin universitar, për të bërë sitë për të dalluar kush vlen që të mos largohet dhe kush janë ata që kanë bërë që të largohet truri”.

Nga studio e Ditarit me Erion Dushin, ai kërkoi ndërhyrje urgjente nga shteti dhe i bëri thirrje presidentit të shkarkojë rektorin e Tiranës. Muka paralajmëroi se për këtë çështje do të vërë në dijeni edhe institucionet ndërkombëtare.

“Ka ardhur koha që qeveria e institucionet të përgjigjen. Kallëzimi im i ka shkuar të gjitha institucioneve përkatëse, i kam shkruar ministrit të arsimit, presidentit dhe komisionit zgjedhor dhe të etikës. Në një shoqëri normale nuk ka nevojë të çohet dokument. Problemi është se çfarë mund të ndodhë në një situatë kur nuk ka asnjë reagim nga institucionet. Një student me kopje dënohet i hiqet dhe e drejta e shkollimit. I njëjti reagim institucional duhet të ishte edhe për pedagogë e studentë. Këta janë njerëz analfabetë në shkencë. Këta ulin vlerën e reputacionin e universitetit. Unë shumë shpejt do t’i drejtohem  institucioneve ndërkombëtare. Nëse do kishim institucione të përgjegjshme, ka aplikacione që nxjerrin plagjiaturat në një kohë të shkurtër, nëse ka vullnet kjo bëhet. Pse nuk reagojnë institucionet ministra e senati? Presidenti ka në dorë shkarkimin, nëse ka karrierë akademike të pastër duhet t’i shërbejë botës akademike për të vënë drejtësi për brezat e ardhshëm. Këtu bëhet fjalë për brezat e ardhshëm”.

Muka theksoi se këta individë i trajtojnë zgjedhjet në universitet si në politikë, ndërsa liria akademike, sipas tij, në vendin tonë është ndër më të ulëtat, duke dëmtuar arsimin dhe brezat.

“Jam vënë në dijeni të një hipoteze ku ka një bashkërendim të politikës e qeverisë dhe kandidatëve për rektor e dekan të cilët janë kapur me plagjiaturë. Këta e trajtojnë universitetin si ambient politk ambient votash basti që është hedhur është që nëse marr 90% të votave mua më duan stafi pedagogjik, por akademia nuk është e tillë. Kush janë ambientet universitare? Kush e edukon brezin e ri? Çfarë garancie kam unë nëse shkoj te mjeku apo juristi nëse stafi akademik nuk është i përgatitur?  Nuk kam gjë personale më Artan Hoxhën, as e kisha idenë kush ishte. E kam për të treguar që kemi të bëjmë me një sistem të korruptuar që ka nevojë për ndërhyrje dhe ky nuk bëhet nga individët por nga shteti. Ne vetëm na vjedhin, duhet reflektim”.

Po kështu edhe Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, e vuri theksin te normalizimi i plagjiaturës në universitete. Sipas tij skandali më i madh është mungesa e reagimit.

“Jemi në situatë që rrezikojmë të normalizojmë vjedhjen. Është e rëndësishme që të identifikojmë ata që kanë ngritur jetën e tyre më punë të ndershme. Ne duhet të pozicionohemi në cilën anë jemi. Skandali më i madh është që askush nuk gjen guximin të reagojë. Ne kemi pedagogun sot me lirinë më ulët akademike. Kemi një rektor që akuzave për plagjiaturë i përgjigjet; unë kam bërë thjesht një gabim. Ne jemi të vendosur për protestë".

Qiraxhi theksoi se duhet ndërhyrje urgjente dhe radikale në këtë sistem, pasi nuk mund të bëhet kompromis me arsimin.

“Në 30 vite nëse këta kanë qenë aty duke bërë rokada, këta kanë arritur të rekrutojnë individë që kanë dashur vetë. Ne kemi individë që kanë mbaruar Oxford e Harvard e kanë të pamundur të punësohen në këto institucione.  Mbi 60% mund të jetë fenomeni i plagjiaturës. E keqja është bërë shumicë dhe ndërhyrja duhet të jetë emergjente dhe radikale mund të shkaktojë edhe tronditje, por institucionet e dijes janë të vetmet ku nuk mund të bëjmë kompromis. Është e nevojshme ndërhyrja e menjëhershme. Universitete po boshatisen se të rinjtë po largohen, se universitete nuk ofrojnë shërbim, universiteti nuk përgatit në kushtet e një tregu pune ku ndodhemi”.

Kujtojmë se zgjedhjet për drejtuesit e rinj të 12 Universiteteve publike do të mbahen më 21 qershor. Në më shumë se gjysmën e këtyre institucioneve kandidatët për rektorë janë të vetëm dhe pa kundërshtarë përballë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos