PPP e shëndetësisë drejt fundit, sterilizimi, Check-Up dhe hemodializa do të menaxhohen nga shteti

Nga Ornela Joti
5 Gusht 2026, 14:00 | Aktualitet

Tri shërbimet koncesionare të shëndetësisë, pritet të rikthehen tërësisht në administrim të shtetit. Sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale ka kaluar i pari në menaxhimin e shërbimit publik.

Me përfundimin e dy kontratave të tjera, check up-i i njohur si kontrolli bazë mjekësor, i cili mbyllet në shtator, dhe shërbimi i hemodializës që përfundon në muajin nëntor, edhe ato do të menaxhohen nga një shërbim i vetëm publik. Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, deklaroi se gjithçka do të jetë nën drejtimin e operatorit të shërbimeve të integruara.

“Me vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave, OSHIS do të administrojë edhe dy shërbime kombëtare me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët: Check-Up dhe dializën. Kjo do të thotë më shumë standardizim, më shumë kontroll mbi cilësinë, më shumë eficiencë dhe, mbi të gjitha, më shumë siguri për pacientët. Ne po ndërtojmë një operator publik të fortë, të aftë për të garantuar shërbime të qëndrueshme dhe me standarde të njëjta në të gjithë vendin.”

Ministrja e Shëndetësisë vizitoi ambientet ku do të zbatohet modeli i ri i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, një proces mjaft i rëndësishëm për sigurinë e pacientëve dhe kujdesin shëndetësor.

“Sterilizimi është një nga hallkat më kritike të sigurisë së pacientit. Qendra e re garanton procese të standardizuara, kontroll të plotë të cilësisë dhe gjurmueshmëri në çdo fazë të procesit, duke mbrojtur njëkohësisht pacientët dhe personelin shëndetësor. Ky është një investim që rrit cilësinë, ul rrezikun e infeksioneve dhe forcon besimin te shërbimi publik shëndetësor.”

Ende nuk dihet nëse kompanitë private që menaxhojnë shërbimin e check up dhe hemodializës do të vënë në dispozicion të shtetit të gjitha pajisjet mjekësore, ashtu siç parashikonte kontrata në fillimin e koncesionit. Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se ende nuk ka një vendim në lidhje me këtë çështje.

Tre koncesionet më të rëndësishme të shëndetësisë kanë qenë jo vetëm më të kontestuarat për shkak të faturave të larta që shteti i paguante privatit, por edhe pjesë e hetimit nga strukturat e drejtësisë. Madje, për sterilizimin u dënua ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rapaj, ndërsa procesi në GJKKO vijon për ish-ministrin Ilir Beqaj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos