
Policia e Vlorës ka publikuar pamjet nga operacioni për shpëtimin e tre turistëve gjermanë, që u bllokuan në malin e Çikës në Vlorë.
U desh ndërhyrja me helikopter për shpëtimin e 3 turistëve të moshës rreth 18 vjeç, të cilët ishin të lodhur, të dehidratuar dhe s’kishin mundësi të vijonin lëvizjen në terrenin e vështirë.
“Rreth orës 19:00, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur lokalizimin e 3 turistëve gjermanë, rreth 18 vjeç, të cilët për shkak të terrenit të vështirë malor ndodheshin të lodhur fizikisht dhe në pamundësi për të vijuar lëvizjen. Për shkak të kushteve të terrenit dhe vështirësisë së ndërhyrjes në këmbë, në koordinim me Qendrën Operacionale Kombëtare të Emergjencave Civile Tiranë, u kërkua ndërhyrja nga ajri me helikopter. Rreth orës 19:30, falë ndërhyrjes së shpejtë nga ajri, u bë i mundur shpëtimi i turistëve dhe nxjerrja e tyre e sigurt nga zona malore”, thuhet në njoftim. (A2 Televizion)