
Dy persona janë arrestuar në flagrancë dhe 23 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar më 15 tetor në qytetin e Korçës.
Sipas Policisë, gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve, mes tyre edhe persona të maskuar, kanë hedhur gurë, pllaka guri dhe sende të forta metalike në drejtim të institucioneve shtetërore dhe punonjësve të Policisë.
Si pasojë e incidenteve, janë dëmtuar godinat e Bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, Universitetit “Fan S. Noli” dhe gjimnazit “Raqi Qirinxhi”. Dëmtime janë shkaktuar edhe në kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistikën rrugore.
Në vijim të veprimeve hetimore, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, janë arrestuar shtetasit F. L., 21 vjeç, banues në Voskop, dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht. Ndërkohë, 23 persona të tjerë janë vënë nën procedim penal, 15 prej të cilëve të mitur. (A2 Televizion)