Shqetësimeve të vazhdueshme të pacientëve, apo edhe debateve politike për mungesën e ilaçeve në spitale, u janë përgjigjur kompanitë farmaceutike që operojnë në treg. Drejtues të kësaj industrie në Shqipëri thonë se kjo ndodh për shkak të buxhetit të limituar dhe menaxhimit jo të mirë të fondeve për sigurimin e medikamenteve.
Dorian Sadiku, kreu i Unionit të Biznesit Farmaceutik në Shqipëri, i kërkon qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që procedurat për prokurimin e ilaçeve të mos jenë të njëjta si për mallrat e zakonshëm.
Sa herë diskutohet për mungesë ilaçesh dhe veçanërisht në spitale, ministrja e Shëndetësisë flet për politizim të çështjes. Gjatë konferencës për rikonceptimin e kujdesit shëndetësor, ministrja Albana Koçi tha se sfida e punës së saj është sigurimi i barnave për të sëmurët në spitale dhe cilësia e tyre edhe në treg.
Por biznesi farmaceutik këmbëngul për hartimin e politikave të qëndrueshme në këtë sektor. Sipas tyre, ulja e vazhdueshme e çmimit të barnave duhet të bëhet e balancuar, që të sigurojë qëndrueshmërinë për biznesin, por edhe cilësinë e ilaçeve për popullatën. Vitet e fundit, pacientët kanë ngritur shqetësimin për cilësinë e medikamenteve në treg dhe veçanërisht mungesën e barnave spitalore, edhe në rastet urgjente. (A2 Televizion)