QKUM: Ambulancat janë në shërbim të jetës, pengimi i tyre rrezikon jetën e qytetarëve

Nga A2 CNN
17 Tetor 2026, 15:55 | Aktualitet

QKUM: Ambulancat janë në shërbim të jetës, pengimi i

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore sqaron se ambulancat dhe ekipet e saj kanë një mision të vetëm: ofrimin e ndihmës mjekësore dhe shpëtimin e jetëve. Ato janë në shërbim të çdo qytetari që ka nevojë për kujdes urgjent, pa asnjë dallim.

Gjatë protestave, ekipet e Urgjencës Mjekësore janë në gatishmëri për t’u përgjigjur çdo rasti që kërkon ndërhyrje, ndërkohë që vijojnë të përballojnë të gjitha urgjencat e tjera mjekësore.

Në Tiranë, përveç fluksit të zakonshëm prej rreth 250–280 vizitash dhe ndërhyrjesh në ditë, gjatë ditëve të protestave janë shtuar rreth 100 raste të tjera. Në nivel kombëtar, Urgjenca Mjekësore përballon rreth 500 vizita çdo ditë.

Në këto kushte, çdo pengim i lëvizjes së ambulancave, çdo vonesë apo cenim i personelit dhe pajisjeve mjekësore vështirëson ofrimin në kohë të ndihmës për personat në rrezik.

QKUM u bën thirrje qytetarëve dhe protestuesve të respektojnë ambulancat, të mos pengojnë lëvizjen e tyre dhe të mos cenojnë punën e personelit mjekësor. Ambulancat duhet të lejohen të përmbushin misionin e tyre në çdo rrethanë.

Çdo pretendim për përdorimin e ambulancave jashtë misionit të tyre duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe të verifikohet nga institucionet përgjegjëse.

Ambulancat janë në shërbim të jetës. Mos i pengoni. Çdo vonesë mund të kushtojë një jetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos