Fundjava e parafundit e gushtit ka shtuar fluksin e automjeteve në autostradën Tiranë-Elbasan, pasi qytetarët kanë zgjedhur të braktisin kryeqytetin për alternativa relaksuese, si plazhet dhe zonat malore.
Gjatë pasdites në këtë aks janë krijuar radhë kilometrike dhe trafiku më i rënduar paraqitet në hyrje të Elbasanit, pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit.
Policia Rrugore e Elbasanit përmes një komunikate për mediat sqaron se ka marrë masa për të përballuar fluksin e madh të lëvizjes së automjeteve në drejtim të Korçës dhe zonave bregdetare të Jugut.
“Policia Rrugore ka rritur prezencën me patrulla të shtuara në akset rrugore Elbasan-Librazhd dhe Elbasan-Rrogozhinë, për të eliminuar vonesat në lëvizje si pasojë e parakalimeve të gabuara apo ngadalësimit të lëvizjes në hyrje të Elbasanit dhe te rrethrrotullimi në Bradashesh.
Deri në këto momente, nuk ka bllokim të qarkullimit të automjeteve, por ka ngadalësim të lëvizjes për shkak të fluksit të automjeteve që kalojnë në këtë rrethrrotullim.
Në ndihmë të shërbimeve të qarkullimit rrugor janë dhe forcat Shqiponja dhe Patrullat e Përgjithshme të cilat vijojnë intensivisht punën për menaxhimin e qarkullimit të automjeteve.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në këto akse rrugore të tregojnë durim, të qëndrojnë në radhë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara, duke u kthyer në burim për përfshirje në ngjarje rrugore apo për bllokim të lëvizjes në të dy kahet e rrugës”. (A2 Televizion)