Rrezik për fshatin dhe aeroportin! Merr flakë stani në Akërni, flakët përhapen me shpejtësi

Nga A2 CNN
23 Shtator 2026, 11:39 | Aktualitet

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë fushat në zonën e Akërnisë në Vlorë, duke shkaktuar shqetësim për banesat dhe aeroportin e Vlorës. Flakët dyshohet se nisën në zonën e Bishanit dhe, të favorizuara nga era e fortë dhe bimësia e thatë, u përhapën me shpejtësi drejt Akërnisë.

Në një lidhje me A2 Sot gazetari Edi Ruçi raportoi nga vendngjarja se një stan është përfshirë nga zjarri, ndërsa shtëllungat e dendura të tymit kanë mbuluar një pjesë të territorit dhe aeroportin e Vlorës.

Sipas tij situata paraqitet më kritike pranë banesave, të cilat ndodhen rreth 100 metra larg vatrës së zjarrit. Banorët janë bashkuar me forcat zjarrfikëse në përpjekje për të penguar përhapjen e flakëve drejt shtëpive.

“Siç mund ta ndiqni, aeroporti i cili po ndërtohet në Akërni është totalisht në tym. Dhe siç mund ta ndiqni nga pamjet, një pjesë e tij nuk mund të dallohet edhe që këtu për shkak të tymit. Ndërsa këtu është rruga kryesore e cila lidh fshatin Akërni, aeroportin me pjesën e fshatit që është tek shtëpitë e banuara që mund t'i ndiqni edhe në horizont. Shihni sa afër është flaka. Po them në një distancë rreth 100 m për të shkuar nga fshati dhe shumë më afër për të shkuar nga aeroporti. Por më kritike situata është në vendin ku unë ndodhem momentalisht dhe jo pa qëllim e zgjodha për shkak se janë banesa të cilat janë sigurisht të banuara. Është një situatë e cila vijon prej disa orësh në pjesën e Akërnisë dhe është një situatë e cila po agravohet edhe më tepër për shkak të bimësisë së thatë, e cila dallohet qartësisht që merr lehtë flakë dhe më pas flakët përhapen në të gjithë territorin. Rreziku është si për fshatin, rreziku është edhe për aeroportin, pasi tek pjesa është një kanal kullues i cili është në anën e aeroportit. Ka qenë deri më tani pengesa e vetme, që flakët mos kalojnë pasi kanë përfunduar deri tek ullinjtë të cilët janë pak metra pas shpinës time”, raportoi gazetari i A2 CNN.

Në terren kanë ndërhyrë rreth pesë mjete zjarrfikëse. Megjithatë, ndërhyrja vështirësohet nga terreni dhe rrugët e ngushta, që pengojnë lëvizjen e shpejtë të mjeteve. Një kanal kullues pranë aeroportit ka shërbyer deri tani si një pengesë për përhapjen e flakëve, ndërsa zjarri ka avancuar deri pranë ullinjve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos