Rreziku nga fruthi, 13 mijë fëmijë të pavaksinuar në Tiranë, mjekët thirrje prindërve

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2024, 16:23 | Aktualitet

13 mijë fëmijë në Tiranë të moshës 0-5 vjeç janë të pavaksinuar ndaj fruthit. Për Institutin e Shëndetit Publik ky grup fëmijësh përbën rrezik për shpërthimin e një epidemitë të mundshme të fruthit. Ndërkohë që vetëm në janar u konstatuan 18 raste me fruth. Sipas mjekëve të konsultoreve dy janë arsyet që prindërit refuzojnë këtë vaksinë. E lidhin atë  me autizimin, por dhe arsye të besimeve të ndryshme fetare.

“Një pjesë e prindërve hezitojnë për shkak të shfaqjes së autizimit, gjë që nuk ka asnjë të vërtetë shkencore”.

Për të treguar se vaksina e fruthit nuk ka asnjë lidhje me sëmundjen e autizimit, mjekët sjellin shembuj të pacientëve të vegjël. Mjekja Irma GJona në Qendrën Shëndetësore numër 10, veçon disa raste ku fëmijët e pavaksinuar janë diagnostikuar vite më vonë me autizëm, apo edhe rastin e një familjeje ku të dy fëmijët me diferencë moshe, njëri i vaksinuar dhe tjetri jo, janë me spektër.

Por  krahas prindërve hezitues vetëm ndaj vaksinës së fruthit, ka edhe një grup prindërish që  refuzojnë kategorikisht të gjitha vaksinat e kalendarit të detyrueshëm.

Më shpërthimin e rasteve me fruth në Tiranë e Durrës, Instituti i Shëndetit publik po monitoron situatën në të gjithë vendin. Ndërkohë u është kërkuar institucioneve arsimore të zbatojnë ligjin për sëmundjet infektive duke mos lejuar fëmijë në kopshte e shkolla pa certifikate vaksinimi.

Vaksina e fruthi bëhet në vitin e parë dhe të pestë të jetës. Pas rasteve me fruth, në qendrat shëndetësore po vihet re rritje e vaksinimit tek 1-vjeçarët që prindërit ua kishin shtyrë dozën e parë për muaj më vonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos