“Vettingu në Polici me ritme të ngadalta”, ish-drejtori: Të kishte me shumë shkarkime se konfirmime

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2024, 19:52 | Aktualitet

Procesi i vettingut në polici po ecën me ritme të ngadalta. Këtë opinion ndau në studion e Ditarit me Bruna Çifligun, ish-drejtori i Policisë, Fran Rica, bazuar në të dhënat e deritanishme të këtij procesi.

“Procesi i vetingut në polici filloi me miratimin e ligjit në 2018. U bënë 6 vite nga fillimi i këtij procesi. Hapi i parë është implementimi i ligjit me komisionet  e jashtme të vlerësimit që vinin jashtë strukturave të ministrisë së Brendshme që funksionoi nga 2019 në 2022. Për këtë periudhë 3-vjeçare është ushtruar procesi i vlerësimit për 42 punonjës policie nga të cilët 24 janë të agjencisë së mbikëqyrjes dhe 18  të tjerët punonjës policie. U ndërpre procedura e vetingut për 7 punonjës që dhanë dorëheqjen dhe janë përjashtuar 5 subjekte, 4 të agjencisë së mbikëqyrje dhe një punonjës i gardës së republikës. Etapa e parë e vlerësimit kalimtar pasqyroi faktin që u ec me ritme shumë të ngadalta, produktiviteti i komisionit të vlerësimit qe shumë i ulët dhe kostot financiare. Dhe për këto arsye me ndryshimet ligjore të 2022 vlerësimi nga janari 2023 kalimtar i punonjësve të policisë ka kaluar në agjencinë e mbikëqyrjes policore, të cilat për vendimet e publikuara më rezulton që është sërish me ritme të ngadalta dhe ka 3 konfirmime, 1 përjashtim”.

Sipas ish-drejtuesit të Policisë, nuk është tregues shumë i mirë që ka pak të përjashtuar nga radhët e policisë në vetting, duke patur parasysh standardet e ligjit.

“Nuk e mendoj këtë që punonjësit i kanë plotësuar të 3 komponentët sidomos me standardet që ka vendosur ligji i parë. Duke parë trendin aktual, janë 7 raste që trupa e vlerësimit është shprehur për ndërprerjen e procesit të vlerësimit kalimtar që do të thotë që disa nga punonjësit kanë dhënë dorëheqjen duke parë pritshmëritë që mund të mos e kalonin këtë procedurë. Vetë ligji i ka lejuar dhe subjektet e kanë shfrytëzuar këtë duke kaluar në detyra të tjera”.

I pyetur nëse vetingu në polici do të krijojë ngërç sikurse ndodhi me organet e drejtësisë ai tha se kjo nuk mund të ndodhë në asnjë rrethanë për shkak të përqindjes së ulët të punonjësve që i nënshtrohen vetingut.

“Me parashikimet ligjore të vetingut në polici një gjë e tillë nuk mund të ndodhë se përqindja e punonjësve që i nënshtrohet vetingut është vetëm 3.5% të punonjësve të policisë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të ndodhë siç ka ndodhur me organet e drejtësisë por standardet e kontrollit të pasurisë janë goxha të ndryshme”.

Në lidhje me formularin për aplikacionet Sky ECC, që ministri i Brendshëm u ka kërkuar të plotësojnë punonjësit e policisë, Rica përgjigjet se, për sa kohë nuk ka parashikim ligjor dhe nuk komunikon për veprimtari kriminale nuk mund të penalizohen. Sipas tij shtyllat e vetëpastrimit të policisë janë nga vetë politika me emërimet.

“Nuk e kam parë këtë formularin dhe nuk di mbështetjen ligjore. Një formular i tillë nuk ka mbështetje ligjore, nëse i vendos një formular dhe ai bën një deklarim të rremë ai bëhet subjekt i një vepre penale. Fakti që asnjë nga punonjësit nuk ka deklaruar ky është më shumë një diçka politike sesa për të vetëpastruar punonjësit e policisë. Dy shtyllat kryesore të vetëpastrimit janë nga vetë politika e emërimeve në polici që do të thotë komisionet emërimeve kanë të gjitha mundësitë nëse nuk ndikohen nga politika. Nëse emëron një punonjës me integritet të lartë garancitë janë më të mëdha. Të dhënat që janë në SPAK do bëhen prova materiale që nuk mund t’i vihen në dispozicion askujt. Për mua nuk është normale Për sa kohë nuk ka parashikim ligjor, përsa kohë nuk komunikon për veprimtari kriminale ky nuk mund të penalizohet”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos