Rritet çmimi i naftës dhe benzinës, qeveria nuk rikthen Bordin e Transparencës

Nga Marjo Brakaj
12 Shtator 2026, 13:33 | Aktualitet

Rritet çmimi i naftës dhe benzinës, qeveria nuk rikthen Bordin

Çmimi i karburanteve është rritur sërish në pikat e tregtimit në vend. Nafta këtë të shtunë po shitet me rreth 229 lekë për litër, nga 219 lekë që ishte më parë, duke shënuar një rritje prej 10 lekësh për litër.

Rritje ka pësuar edhe çmimi i benzinës. Nga 205 lekë për litër, ajo po tregtohet me 216 deri në 219 lekë për litër, me një rritje prej 11 deri në 14 lekësh.

Shtrenjtimi i karburanteve vjen në një kohë kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur, të ndikuara nga zhvillimet dhe pasiguria në Lindjen e Mesme.

Rritet çmimi i naftës dhe benzinës, qeveria nuk rikthen Bordin

Sipas Reuters, nafta Brent gjatë tregtimit arriti në 104.97 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në rreth katër muaj, pas një rritjeje prej më shumë se 6% në seancën e mëparshme.

Pavarësisht rritjes së çmimeve në treg, qeveria nuk planifikon të rikthejë Bordin e Transparencës për karburantet.

Për A2 CNN, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka deklaruar se, duke qenë se konflikti në Lindjen e Mesme mund të zgjasë, një mekanizëm i tillë do të ishte i përshtatshëm vetëm për periudha afatshkurtra.

Sipas ministrisë, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka këshilluar që ndërhyrje të tilla të jenë të përkohshme.

Qeveria ka bërë të ditur se fokusi do të jetë te çmimet e ushqimeve dhe mbështetja e transportit publik, për të zbutur ndikimin e rritjes së kostove te qytetarët.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos