Agjencia amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) ka zyrtarizuar marrëveshjen për një hua direkte prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë, në kuadër të programit të Financimit të Huaj Ushtarak (FMF).
Sipas njoftimit të DSCA-së, financimi synon të mbështesë modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe rritjen e kapaciteteve të vendit për të kontribuar në sigurinë e përbashkët të NATO-s.
Marrëveshja është realizuar në bashkëpunim me Departamentin amerikan të Shtetit. Sipas autoriteteve amerikane, huaja do t’i mundësojë Shqipërisë financim me kosto të ulët dhe kushte fleksibël për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Fondet do të përdoren për pajisje dhe shërbime të prodhuara nga industria amerikane e mbrojtjes, duke synuar edhe rritjen e ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura shqiptare me ato të aleatëve të NATO-s.
Pas publikimit të marrëveshjes ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili e cilësoi financimin si një tjetër tregues të besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë.
“Ky është më shumë se financim. Është besim, partneritet strategjik dhe investim në sigurinë e së ardhmes”, deklaroi Nufi.
Sipas ministrit, huaja prej 302 milionë dollarësh do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura dhe në rritjen e kontributit të Shqipërisë në sigurinë e përbashkët të NATO-s. (A2 Televizion)