Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, ai serb Aleksandër Vuçiç, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte janë katër liderët që janë larguar më herët nga Tirana, ku janë duke u zhvilluan punimet e samitit të Komunitetit Politik Europian.
A2 CNN mëson se katër liderët janë larguar në drejtim të aeroportit të Rinasit menjëherë pas drekës, që pasoi pjesën e parë të punimeve në shtëpinë e Europës.
Ndërkohë, nga Tirana liderët e Europës i përcollën njëzëri një mesazh të fortë Rusisë për të ndalur luftën në Ukrainë. Në tryezën e samitit të Komunitetet Politik Europian, Rama kërkoi aleancë përtej armatimit, ide që u mbështet edhe nga Emmanuel Macron.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nga samiti i Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë, zhvilloi edhe një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-ve Donald Trump, ku u përfshinë edhe presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri polak Donald Tusk dhe ai i Britanisë, Keir Starmer.
“Fola me presidentin Donald Trump, së bashku me Presidentin Macron, Kancelarin Federal Merz, Kryeministrat Starmer dhe Tusk. Diskutuam rreth takimit në Stamboll. Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë, dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë. Qëndrimi ynë është i qartë — nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë, të pakushtëzuar dhe përfundimin e vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione të ashpra. Presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojë derisa ajo të jetë e gatshme të përfundojë luftën. Faleminderit të gjithëve në botë që po ndihmojnë”, shkroi Zelensky në rrjetin social ‘X’. (A2 Televizion)