Pasi nënshkroi në Kryeministri marrëveshjen për forcim dhe zgjerim të bashkëpunimit dypalësh mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes, kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, vizitoi Muzeun e Forcave të Armatosura dhe Qendrën e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes.
I shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, para trupave të Forcave të Armatosura kreu i qeverisë britanike vlerësoi si të rëndësisë së parë, përfshirjen e ushtarakëve shqiptarë në misionin “Interfleks” në Mbretërinë e Bashkuar, për trajnimin e rekrutëve të rinj ukrainas, shkruan A2.
“Puna që ju po bëni është e rëndësishme jo vetëm për ne, por për të gjitha vendet. Puna në të cilën aktualisht jeni të angazhuar e cila lidhet me trajnimin e forcave ukrainase është e rëndësisë së parë. Kam qenë në qëndrën “Interflex” vetë në disa raste. Profesionalizmi dhe përkushtimi është i një niveli të lartë dhe është shumë më tepër e rëndësishme për forcat ukrainase të cilët jetojnë në frontin e luftës, jo vetëm për të mbrojtur frontin e tyre, por edhe vlerat dhe demokracinë tonë. Për këtë arsye, ajo që ju po bëni këtu është shumë e rëndësishme. Shpresojmë që do të arrijmë të ndalim luftën në Ukrainë, e cila do të mund të çojë në një armëpushim dhe në paqe, një paqe që duhet të jetë e përhershme, me një Ukrainë të fortë dhe kjo varet nga puna juaj”, tha Starmer.
Duke falenderuar ushtarakët shqiptarë, Sir Starmer u shpreh se angazhimi i tyre nuk është i rëndësishëm vetëm për britanikët, por për të gjitha vendet, ndërsa ndau edhe përshtypjet e tij me një ushtarak që do të nisej në qendrat e trajnimit të ukrainasve në Britani: “Ke qenë më herët? Është shumë mirë. Është gati e pabesueshme, pasi do trajnosh civilë ukrainas, jo ushtarakë. Herën e fundit që isha atje ishte një dyqanxhi, një producent filmash, një jurist, dikush që punonte në qeverisjen lokale dhe vijnë aty për trajnim intensiv para se të shkojnë në frontin e luftës”.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, marrëveshja e nënshkruar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij britanik Starmer nuk përbën një angazhim financiar apo ligjërisht detyrues për asnjërën palë, por vendos themelet për bashkëpunime të mëtejshme përmes marrëveshjeve të posaçme, në përputhje me legjislacionin përkatës dhe angazhimet ndërkombëtare. (A2 Televizion)