Sherri për një votë, Celibashi shkon te KZAZ 30 në Kashar, përjashton të gjithë vëzhguesit

Nga A2 CNN
15 Maj 2025, 16:55 | Aktualitet

Sherri për një votë, Celibashi shkon te KZAZ 30 në Kashar,

Pak pasi mori vendimin për të për përjashtimin e çdo vëzhguesi të pranishëm në KZAZ nr.30 në Yrshek, ndikuar nga incidenti i dhunshëm që ndodhi aty, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi është paraqitur me urgjencë pranë kësaj qendre.

Celibashi shihet duke hyrë brenda KZAZ në prani të kandidatit demokrat për deputet, Klevis Balliu dhe një personi tjetër. Sakaq në urdhrin e tij, Celibashi ka kërkuar revokimin e akreditimit të çdo vëzhguesi nga KZAZ në zonën e Kasharit.

Vendimi erdhi pasi një vëzhgues, dyshohet i kandidatit të PS-së Ornaldo Rakipi, ka dhunuar kreun e KZAZ-së, Remzi Mehmeti. Policia më pas bëri shoqërimin e 26-vjeçarit që goditi Mehmetin.

 

Sipas policisë janë konfliktuar mes tyre përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike dhe për konfliktin është shoqëruar një person.

“Rreth orës 14:30, është kërkuar ndërhyrja e Policisë në KZAZ Nr. 30, në Yrshek, pasi gjatë procesit të numërimit, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike janë konfliktuar me njeri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin R. N., 26 vjeç, i dyshuar i përfshirë në konflikt, për veprime të mëtejshme proceduriale”, njofton policia.

Policia po ashtu rrëzon pretendimin se në konflikt janë përfshirë edhe punonjës policie. “Sqarojmë se ky pretendim është i pavërtetë”, nënvizohet në njoftim.

Sakaq, uniformat blu po vijojnë punën për shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë e rrethanave të konfliktit.

Në KZAZ nr. 30 ka gjithsej 61 kuti ndërsa deri tani janë numëruar 40 prej tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos