Gjatë ditës së djeshme qarku i Korçës përjetoi një situatë të pazakontë, ku stuhia e fortë shoqëruar me erëra dhe reshje solli jo vetëm dëme materiale, por edhe shpërthimin e një zjarri në zonën e Pojskës, Pogradec.
Gazetari i A2 CNN Artin Halili raportoi një kabinë e vjetër elektrike, si pasojë e erës së fuqishme, shkaktoi një masë elektrike që ndezi tokat përreth, por flakët u përhapën me shpejtësi, duke rrezikuar disa njësi shërbimi dhe sidomos një pikë karburanti pranë zonës.
“Stuhia e pasdites së djeshme solli edhe nisjen e zjarrit në zonën e Pojskës në Pogradec ku një kabinë e vjetër elektrike si pasojë e erës së fortë shkaktoi masë elektrike dhe u përhapën tokat përreth me bar të thatë dhe ferra dhe flakët u përhapën me shpejtësi duke rrezikuar disa njësi shërbimi në zonë, por rreziku më i madh ishte në një pikë karburanti, që ndodhej pranë kabinës”, raportoi gazetari i A2 CNN.
Sipas tij kjo shkaktoi edhe bllokimin e trafikut prej gjysmë ore nga Pogradeci në Qafë Thanë nga policia deri në momentin që u sigurua që flakët nuk do preknin karburantin. Pas gati dy orë punësh u arrit që të stabilizoheshin flakët e zjarrit. Përveç tokave bujqësore pati dëme në një restorant, por fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz.
Stuhia dhe era e fortë shkaktoi gjithashtu anomali në liqen, ku një traget i vogël humbi kontrollin dhe për pasojë doli në ujërat shqiptare.
Gazetari i A2 CNN raporton se stuhia solli probleme edhe në liqenin e Pogradecit, ku një traget i vogël humbi kontrollin dhe përfundoi në ujërat shqiptare. Po ashtu, një shtetas maqedonas që kryente paragliding u hodh nga era e fortë në një fshat, por shpëtoi pa pasoja për jetën.
Më të prekur nga dëmet janë Pogradeci dhe Maliqi, ku janë regjistruar thyerje pemësh, rrëzime tendash dhe bllokime të përkohshme të trafikut. Sipas gazetariot të A2 CNN, autoritetet lokale kanë ndërhyrë menjëherë për të minimizuar dëmet dhe fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar nga stuhia dhe zjarri.
(A2 Televizion)