
Policia polake ka konfirmuar se personi i armatosur, i dyshuar për vrasjen e gjashtë personave në Krakov, ka ndërruar jetë në spital.
24-vjeçari, për të cilin ministrat thanë se dyshohet se ishte frymëzuar nga “ideologjitë e ekstremit të djathtë”, mbeti i plagosur pasi hapi zjarr në qendër të Krakovit, qyteti i dytë më i madh në Poloni, të shtunën.
Forcat e armatosura të policisë mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe u përfshinë në një shkëmbim zjarri me të dyshuarin. Zyrtarët bëjnë të ditur se ai u qëllua brenda tre minutave nga nisja e sulmit, duke parandaluar kështu një masakër edhe më të madhe.
Policia e Krakovit njoftoi se autori i dyshuar ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Pas të shtënave, të cilat nisën pak para orës 15:00 me orën lokale, në sheshin kryesor të qytetit, një zonë mjaft e frekuentuar, policia identifikoi sulmuesin si një 24-vjeçar polak, por nuk bëri të ditur emrin e tij.
Në orët pas sulmit, një ministër deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se 24-vjeçari ishte frymëzuar nga “ideologjitë e ekstremit të djathtë”. Ministri e cilësoi gjithashtu atë si një “ultranacionalist”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Deri më tani, është konfirmuar vrasja e gjashtë personave, katër grave dhe dy burrave.
Katër prej viktimave ishin shtetas polakë, ndërsa mes të vrarëve ishte edhe një shtetas britanik dhe një grua austriake. (A2 Televizion)