“Shkarkimi i Olsi Dados nuk u shqyrtua nga KLP?” Veliaj u kërkon informacion anëtarëve të KLP

Nga A2 CNN
12 Maj 2026, 16:15 | Aktualitet

“Shkarkimi i Olsi Dados nuk u shqyrtua nga KLP?” Veliaj u

Erion Veliaj pretendon se kërkesa e tij për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të prokurorit Ols Dado dhe për përfundimin e statusit të tij si magjistrat, nuk është shqyrtuar asnjëherë nga KLP si organ kolegjial.

Në një kërkesë drejtuar anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Veliaj shprehet se nga dokumentacioni i administruar në Gjykatën Administrative rezulton se lidhur me këtë çështje ka vepruar vetëm nënkryetari i KLP-së, Erind Gërmenji, i cili ka firmosur një shkresë ku deklarohet se “KLP shqyrtoi kërkesën”, ndërkohë që, sipas paditësit, nuk rezulton të ketë ekzistuar një mbledhje, shqyrtim apo vendimmarrje kolegjiale e Këshillit.

“Nga provat e administruara në gjykim rezulton se përmbajtja e shkresës së sipërcituar nuk i korrespondon realitetit procedural të trajtimit të kësaj kërkese. Konkretisht, nuk rezulton që kërkesa jonë të jetë shqyrtuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ kolegjial, por vetëm nga nënkryetari i tij, z. Erind Gërmenji, i cili në këtë shkresë ka mbajtur edhe qëndrim mbi themelin e kërkesës, duke arsyetuar se nuk mund të konstatohej pavlefshmëria e pretenduar për shkak se z. Ols Dado kishte kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar. Ky element merr rëndësi të drejtpërdrejtë juridike në kushtet kur neni 66 i ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, parashikon se kompetenca për vendimmarrjen lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë si organ kolegjial. Për rrjedhojë, në kushtet kur nga dokumentacioni i administruar në gjykim nuk rezulton ekzistenca e një shqyrtimi apo vendimmarrjeje kolegjiale të KLP-së mbi këtë kërkesë, krijohet një mospërputhje e dukshme ndërmjet përmbajtjes së shkresës së datës 11.03.2025 dhe procedurës që rezulton e ndjekur në praktikë, duke e kthyer shkresën në fjalë në një akt nul”, thuhet në kërkesën e Veliajt.

Veliaj u kërkon individualisht anëtarëve të KLP-së të deklarojnë nëse kanë qenë në dijeni të këtij fakti.

“Në këto kushte, kërkojmë nga ana juaj të na informoni nëse keni qenë në dijeni të faktit se z. Gërmenji ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur personalisht lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të z. Ols Dado, për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore për emërimin e tij, duke i hequr kompetencën Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë një vendim kolegjial mbi kërkesën tonë”, shprehet Veliaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos