Floriar Arapi thotë se vizita e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, në Shqipëri të hënën lidhet me një aleancë ushtarake që do të lidhet mes vendit tonë, Greqisë, Izraelit dhe Qipros.
“Megjithëse në Shqipëri informacioni, le të themi, është më i ngushtë në këtë pikë, është ngritja e një aleance rajonale, e disa aleancave rajonale dhe konkretisht flitet për një aleancë të cilën Izraeli dëshiron ta ngrejë me Qipron dhe me Greqinë dhe pjesë e kësaj aleance të jetë edhe Shqipëria”, tha Arapi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN. “Marrëveshjet me Greqinë dhe me Qipron kanë avancuar shumë në këtë pikë”.
Sipas tij, këto marrëveshje nuk janë raportuar vetëm në mediat greke, por edhe ato ndërkombëtare. “Izraeli ka një marrëveshje për të çuar në Greqi sisteme të mbrojtjes ajrore. Sisteme izraelite për të mbrojtur Greqinë. Të njëjtën gjë edhe me Qipron”, tha ai.
Sipas tij, Izraeli i frikësohet më shumë se çdo kundërshtari tjetër, Turqisë. “Sepse Turqia është edhe kapacitet, një shtet shumë i madh, qoftë në potencialin ushtarak. Por edhe në aspektin gjeografik, është shumë më afër. Gjithashtu ka dhe influencë në shumë vende në rajon, sidomos për shembull në Siri, ka një aleancë të ngushtë me Sirinë”, tha Arapi. “Për këtë arsye kemi të drejtë të dyshojmë tek ajo pyetja që çfarë nuk u tha. Kemi të drejtë të dyshojmë se një nga gjërat që nuk u tha është edhe kjo”.
Sipas Arapit, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi dyshohet që është vendosur në atë pozicion me influencën e një izraeliti, mik i Ramës, në Shqipëri. “Quhet Ron Yeffet dhe kanë dalë disa dokumente dhe disa dëshmi në publik të cilët janë për t'u marrë seriozisht”, tha ai. “Përtej besimit të tij, që ka një afërsi me sionizmin në përgjithësi, por edhe këto marrëdhëniet që ai ka pasur Ron Yeffet, të bëjnë që të mendosh që kjo është ka diçka të vërtetë dhe ka diçka serioze për të dyshuar”. (A2 Televizion)