Shtyhet sërish seanca për Fredi Belerin

Nga Armand Bajrami
28 Shkurt 2024, 17:06 | Aktualitet

Dy javë pasi SPAK kërkoi dënimin e tij me 2 vjet e 6 muaj burg, Alfred Beleri kërkoi deklarimin e pafajshëm në Gjykatën e Posaçme. Në seancën e së mërkurës pretendimet e pafajësisë të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës u artikuluan vetëm nga avokati i tij.

Vetë Beleri do të thotë fjalën e tij të fundit para gjykatës mbi akuzën e “korrupsionit në zgjedhje” në seancën e radhës, e caktuar më 5 mars.  Avokati Geni Gjyzari këmbënguli në pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave të prokurorisë dhe se i “infiltruari” Arsen Rama, ishte dëshmitar jo i besueshëm dhe se ishte paguar nga Policia e Shtetit. 

Pafajësi u kërkua edhe për të bashkëpandehurin e Belerit, Pandeli Kokaveshi, i cili është hetuar e gjykuar pa masë sigurie për shkak të problemeve shëndetësore. Nëse deklarohej fajtor, Kokaveshi kërkoi një dënim të ulët për shkak të rrethanave shëndetësore të tij dhe të vajzës, duke thënë “Mua më ka dënuar Zoti”.

Edhe për Belerin, në rast të një vendimi fajësie, avokati kërkoi dënim me kohën e paraburgimit, ose forma alternative pa burg, si Shërbimi i Provës apo puna në interes të publikut. 

Alfred Beleri qëndron në qeli prej 12 majit, pas dyshimeve të SPAK se është përfshirë në blerje votash në zgjedhjet e dy ditëve më vonë, nga të cilat u shpall fitues. Gjatë qëndrimit të tij në burg, ai ka dështuar disa herë të zbusë masën e sigurisë dhe të mos marrë leje të posaçme për të pasur mundësi të betohet dhe të marrë detyrën e kryebashkiakut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos