Strasburgu quan të paligjshëm arrestimin e ish-drejtorit të RTSH, Thoma Gëllçi, avokati: Zgjatja e paraburgimit, e pajustifikuar

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2025, 12:29 | Aktualitet

Strasburgu quan të paligjshëm arrestimin e ish-drejtorit të RTSH,

Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar si të paligjshëm arrestimin e ish-drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, në vitin 2021. Kështu tha avokati i tij Dorjan Matlija, përmes një postimi në Facebook, shkruan A2 CNN.

“Gjykata e Strasburgut i dha të drejtë sot Thoma Gëllçit dhe konfirmoi që arrestimi i tij ishte i paligjshëm. Thoma Gëllçi, ish-drejtor i RTSH, u arrestua në tetor 2021 për akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me një tender. Ai u vendos në paraburgim me vendim të GJKKO-së, me pretendimin se ekzistonte dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprime të paligjshme”, shkruan Matlija.

“Gjykata e Strasburgut konstatoi se argumentet për arrestimin ishin të pambështetura dhe shumë të përgjithshme. SPAK nuk dha prova konkrete as se cilat prova duhej të mblidheshin dhe pse nuk ishin mbledhur më parë, si dhe rreziku i arratisjes nuk ekzistonte. Gjykata e Strasburgut shtoi gjithashtu se zgjatja e paraburgimit ishte e pajustifikuar, pasi autoritetet hetimore nuk treguan "kujdes të veçantë" për hetimin. Sipas Gjykatës së Strasburgut, Shqipëria shkeli Konventën duke mbajtur Gëllçin në paraburgim për një periudhë të pajustifikuar dhe pa dhënë prova. Duke e konsideruar si një fitore të rëndësishme morale, Strasburgu ofroi një shumë simbolike dëmshpërblimi moral, por pa harruar që të ngarkojë mbi shtetin edhe kostot avokatore të Gëllçit”.

Në vitin 2022, Gjykata e Posaçme dënoi Gëllçin me 1 vit e 4 muaj, duke e shpallur fajtor për “shpërdorim detyre”. Gjithashtu vendosi që për 5 vite t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos