Ministria e Drejtësisë, ajo e brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme janë bërë bashkë në hartimin e strategjisë për mbrojtjen e viktimave të krimit.
Manja tha se do të ofrohet shërbim, deri në rehabilitimin e plotë të viktimave, ndërsa Taulant Balla theksoi se duhet një koalicion i gjerë kombëtar pasi jemi në një emergjencë. Edhe kryeprokurori Olsian Çela foli për rëndësinë e trajtimit të viktimave që ka nisur që me ndryshimin e kodit të procedurës penale, sipas tij.
“Nuk mund të ketë drejtësi nëse nuk ka kompensim të viktimave të krimit. Drejtësia realizohet plotësisht nëse në krahun tjetër do të ketë edhe kompensim. Masat synojnë dënime penale proporcionale në raport me rrezikshmërinë e veprave penale dhe një sistem që garanton siguri për viktimat”, u shpreh Manja.
“Jemi në kushtet e një situate emergjente, e cila kërkon një adresim të menjëhershëm dhe kjo nuk arrihet vetëm me forcën e ligjit, por kjo arrihet duke e u bërë të gjithë bashkë, një koalicion kombëtar të të gjithë aktorëve, nga shoqëria civile te media”, tha Taulant Balla.
“Në fakt, vendosja e viktimës në qendër të vëmendjes nuk është një risi. Kjo ka nisur herët. Nisur nga pikëpamja ime personale, por edhe ajo e shumë kolegëve, ka qenë momenti i rëndësishëm impakti kryesor hartimi i kodit të procedurës penale, ndryshimet që u sollën në vitin 2016”, tha Çela. (A2 Televizion)