Studentët e Mjekësisë bojkotojnë mësimin, marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit

Nga A2 CNN
14 Tetor 2026, 10:46 | Aktualitet

Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë vendosur të bojkotojnë mësimin këtë të mërkurë. Një grup prej tyre i është drejtuar Ministrisë së Arsimit, për t’iu bashkuar studentëve të tjerë, pasi edhe sot është paralajmëruar një protestë, rreth orës 14:00.

Paralajmërimi për bojkot ka ardhur nga disa Universitete dhe Fakultete, pas përleshjeve të dhunshme të një dite më parë. Edhe nxënësit e gjimnazit Partizani kanë bojkotuar mësimin dhe kanë bllokuar rrugën para shkollës së tyre.

Protestë e të martës nisi paqësore, por u përshkallëzua shpejt. Disa protestues shkulën pllakat e trotuarit dhe kangjellat para Ministrisë së Arsimit dhe qëlluan me gurë dhe vezë drejt godinës. Policia reagoi duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës, ndërsa nuk munguan episodet e dhunës, deri në orët e mbrëmjes.

Si pasojë, 6 persona mbetën të lënduar rëndë dhe u dërguan në Spitalin e Traumës, njëri prej tyre me këmbë të thyer.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije përmes një njoftimi se 3 kalimtarë vijojnë qëndrimin në spital, ku gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë. Njëri prej tyre po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Në spital janë po ashtu 3 protestues, gjithashtu në gjendje të mirë shëndetësore. Dy prej tyre do të vijojnë qëndrimin në spital, ndërsa për personin e tretë po kryhet vlerësimi mjekësor për të përcaktuar nëse nevojitet shtrimi.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur gjatë natës 1 protestues me shenja intoksikimi, i cili, pas marrjes së trajtimit në urgjencë dhe rekomandimeve mjekësore, është larguar nga spitali.

Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë për shkak se ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore dhe subjekte private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera dhe rrethime metalike gjatë tubimit të së martës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos