“Temperatura deri në -30 gradë”, moti ekstrem paralizon SHBA-në

Nga A2 CNN
26 Janar 2026, 08:58 | Aktualitet

Moti ekstrem ka goditur disa zona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me temperatura që kanë zbritur nga minus 26 deri në minus 30 gradë Celsius, reshje të dendura dëbore dhe ngrica të rrezikshme. Në një lidhje me Dita Jonë shkrimtarja shqiptare në Pensilvani, Premisa Kerthi tregon se autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente, duke paralajmëruar qytetarët të mos dalin nga shtëpitë për nevoja jo të domosdoshme. Rrugët janë mbyllur pas mesnatës, ndërsa bora, breshëri dhe akulli kanë krijuar kushte tepër të rrezikshme për qarkullimin, pavarësisht ndërhyrjes së pandërprerë të mjeteve pastruese.

“Temperaturat ishin minus 26 deri në minus 28 gradë. Ngricat e bënin më të vështirë. Çdo gjë u mbyll njerëzit u paralajmëruan një javë më parë dhe kjo gjendje pritej. Shkoje në market dhe ishte çdo raft bosh. Për të ardhur keq, të gjithë mundoheshin të merrnin gjërat më bazike. Kjo gjendje ishte në vitin 2013. Rrugët janë të mbyllura, bora filloi që të shtunën në 2 të mëngjesit kthehej direkt në akull edhe ishte shumë e rrezikshme. Edhe pse mundoheshin makina pastruese, prapë është e pamundur. Siguria është prioritet. Na u kërkua të mos dilnim as për blerje të panevojshme. Natyra nuk sfidohet”, shprehet ajo në Dita Jonë në A2 CNN.

Shumë zona janë izoluar plotësisht, fluturimet janë anuluar, shkollat dhe institucionet arsimore janë mbyllur, ndërsa puna vijon online përmes platformave digjitale. Banorët janë përgatitur për ndërprerje të energjisë elektrike me mjete ndriçimi alternative, edhe pse në disa zona situata mbetet nën kontroll.

“Me energjinë elektrike thuhet që do të ketë shkëputje, por që janë marrë masat nga emergjenca civile. Në zonën ku unë jetoj nuk na lejohen gjeneratorët se do të ishim të detyruar që të përgatiteshim me gjëra të tjera”.

Autoritetet vijojnë pastrimin e autostradave dhe rrugëve kryesore, ndërsa përmirësimi i motit pritet gradualisht në orët në vijim. Qytetarët këshillohen të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë udhëzimet e sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos