Transferimi në Tiranë, punonjësit e Kadastrës së Vlorës pezullojnë përkohësisht punën

Nga Edi Ruçi
27 Janar 2026, 10:00 | Aktualitet

Transferimi në Tiranë, punonjësit e Kadastrës së

Punonjësit e Kadastrës së Vlorës kanë reaguar pas vendimit për zhvendosjen e strukturave të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës.

Në një peticion drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, drejtuesit të saj, kryeministrit Edi Rama si dhe prefektes së qarkut, ata kërkojnë rishikim të këtij vendimi, raporton A2 CNN.

Burime brenda stafit të Kadastrës Vlorë bëjnë me dije për A2CNN se, pas dorëzimit të peticionit, punonjësit kanë marrë mbështetje nga zëvendësdrejtori i ASHK Vlorë, Sokol Shehaj.

Megjithatë, sipas të njëjtave burime, pas kësaj mbështetjeje mësohet se zyrtari në fjalë është shkarkuar nga detyra.

Ndërkohë, raportohet se ndaj 55 punonjësve të Hipotekës Vlorë po ushtrohet presion për përgatitjen e materialeve drejt Tiranës. Punonjësit shprehen se kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe tension, duke rrezikuar vazhdimësinë e punës së tyre në qytet.

Në shenjë reagimi, punonjësit kanë kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje nga përfaqësuesit e zgjedhur, ndërsa kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht punën, deri në sqarimin e situatës dhe marrjen e një zgjidhjeje të drejtë.

Ndërkohë, për këtë zhvendosje nuk janë dakord as qytetarët. Sipas tyre, do të jetë e pamundur t'i ndjekin dosjet deri në kryeqytet.

“Më mirë ta çojnë në Bangladesh. Jo në Tiranë, por më mirë ta çojnë në shtet tjetër. Më mirë mos të jetë fare. Ja, vijmë këtu, shtyjmë ditën e na gënjejnë”, tha me ironi një qytetar nga Vlora. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos