Tre vatra zjarri në fshatrat e Vlorës, Ministria e Mbrojtjes: Janë ndezur nga një grup i strukturuar kriminal

Nga A2 CNN
21 Gusht 2025, 23:44 | Aktualitet

Tre vatra zjarri në fshatrat e Vlorës, Ministria e Mbrojtjes:

Tre vatra zjarri të shfaqura mbrëmjen e sotme në tre fshatra të ndryshëm të zonës së Vlorës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë zjarrëvënie të qëllimshme dhe të kryera nga një grup i strukturuar kriminal.

Në një reagim në llogaritë në rrjetet sociale, teksa përditëson të dhënat mbi situatën në terren, Ministria e Mbrojtjes nënvizon se këto zjarrvënie po bëhen natën, për shkak se ndërhyrja nga ajri në këto kushte është e pamundur.

Sonte, mes orës 20:15 dhe 22:15, është shfaqur një numër i konsiderueshëm vatrash zjarri në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë. Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Më tej bëhet me dije se pas reagimit të shpejtë të emergjencave civile të Vlorës, zjarri në fshatin Dukat i Ri është izoluar plotësisht, duke evituar përkeqësimin e situatës dhe rrezikun ndaj zonave të banuara.

Ndërkohë, 3 vatrat e shfaqura njëherazi në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe 2 vatrat e shfaqura në orën e fundit në Vajzë mbeten aktive. Forcat zjarrfikëse vendore dhe Forcat e Armatosura janë në terren në këto dy fshatra, duke krijuar perimetra sigurie.

Sipas ministrisë, forcat operacionale do të mbeten të angazhuara në terren përgjatë gjithë natës, për të siguruar banesat dhe pronat e qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos