Tritoli në banesën e gjyqtarit, reagon Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë

Nga A2 CNN
29 Prill 2024, 10:21 | Aktualitet

Tritoli në banesën e gjyqtarit, reagon Unioni i Gjyqtarëve

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë e ka konsideruar si një akt kriminal, tritolin në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj, duke thënë se duhet dënuar me forcë dhe se autorët duhët të mbajnë përgjegjësi. Në një reagim për mediat, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thotë se akte të tilla kanë për qëllim jo vetëm frikësimin e magjistratëve, por edhe cenimin e rendit e të sigurisë publike, si dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë.

Prandaj, i bëjnë thirrje autoriteteve që të çojnë para drejtësisë autorin, pasi vetëm kështu jepet mesazhi se magjistratët në Republikën e Shqipërisë kanë mbështetjen maksimale të Shtetit.

“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, si grupimi më i madh vullnetar, që ka për qëllim kryesor mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, shpreh shqetësimin e tij në lidhje me ngjarjen kriminale të ndodhur dje, në orët e para të mëngjesit në qytetin e Shkodrës, ku një sasi eksplozivi shpërtheu në derën e banesës së kolegut tonë, gjyqtar z.Tonin Sterkaj. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë uron që kolegu ynë Tonin Sterkaj dhe familjarët e tij të jenë mirë dhe shpreh mbështetjen e të gjithë anëtarëve gjyqtarë ndaj kolegut Z.Sterkaj.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dënon me forcë këtë akt të shëmtuar kriminal, i cili nuk drejtohet vetëm ndaj kolegut gjyqtar Z.Tonin Sterkaj por edhe ndaj të gjithë magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë) në Republikën e Shqipërisë, të cilët me përkushtim dhe në kushte të një ngarkese jashtëzakonisht të lartë pune, presioni mediatik e politik, përpiqen çdo ditë të japin drejtësi.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thekson se, ky sulm i pabesë e burracak ka për qëllim jo vetëm frikësimin e magjistratëve, por edhe cenimin e rendit e të sigurisë publike, si dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë! Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon nga organet ligjzbatuese të veprojnë më shpejt se rastet e mëparshme, për të identifikuar, kapur e vënë para përgjegjësisë penale çdo autor të mundshëm të këtij veprimi të shëmtuar krimininal, duke dhënë në mënyrë të veçantë mesazhin se, magjistratët në Republikën e Shqipërisë kanë mbështetjen maksimale të Shtetit, për të kryer detyrën e tyre në mënyrë të qetë e pa rrezikuar jetën, shëndetin, pronën e tyre dhe të familjarëve te tyre nga krimi, si një ndër kushtet themelore për forcimin e ligjit, shtetit të së drejtës dhe prosperitetin e vendit.

Së fundmi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë i përcjell edhe një herë angazhimin e tij maksimal për të bashkëpunuar me organet shtetërore, në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, garantimit të të drejtave dhe lirive të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, si dhe luftën pa kompromis ndaj çdo fenomeni negativ të vërejtur në radhët e punonjësve të sistemit të drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se rreth orës 03:00 të mëngjesit, një shpërthim ka ndodhur në lagjen "Tom Kola". Gjyqtarit Sterkaj i ishte vendosur lënda plasëse te porta e oborrit të banesës. Si pasojë e shpërthimit, pati vetëm dëme materiale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos