U përfshi nga flakët, kur rihapet Urgjenca e QSUT

Nga A2 CNN
4 Qershor 2024, 16:40 | Aktualitet

Javën e ardhshme rikthehet në funksion të plotë Urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Pas afro 4 muajsh nga zjarri i rënë në këtë godinë, drejtues të QSUT njoftojnë përfundimin e punimeve.

Në daljen e parë për mediat drejtoresha Alma Cani  tha se po bëhen testimet e fundit të aparaturave për t`u vënë në shërbim të rasteve urgjente. 28 milionë leke i kushtoi buxhetit të shtetit riparimi i dëmeve në urgjencën e re të QSUT e cila u përfshi nga flakët në shkurt të këtij viti. Dëmet më të mëdha ishin në rrjetin elektrik dhe atë të aspirimit.

Urgjenca e Polivalente ishte investimi më i ri në QSUT me vlerë 17 milionë euro. Kur ende nuk ishte bërë një vit nga inaugurimi i saj, ky shërbim u përfshi nga flakët duke e nxjerrë jashtë funksioni.

Në këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë vuri në funksion të rasteve urgjente dy spitalet e tjerë universitare, Sanatoriumin dhe Traumën.

Për ngjarjen e ndodhur në QSUT, ministrja e Shëndetësisë largoi nga detyra drejtoreshën Albana Fico. Vendosja e drejtorit të ri Alma Cani, me motivin për të zgjidhur problemin në Urgjencë,  u pasua  më kryerjen e një tenderi me vlerë 28 milionë lekë për riparimin e dëmeve.

E njëjta kompani që ndërtoi Urgjencën,  mori  me procedurën e negocimit edhe  tenderin për riparimin e saj pas zjarrit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos