Një jetë e tërë në shërbim të të porsalindurve, ide të reja që ndryshuan praktikën mjekësore shqiptare dhe një filozofi që e vendoste kujdesin njerëzor mbi recetën. Kështu u kujtua Dr. Eduard (Edi) Tushe në emisionin “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, përmes një speciale kushtuar figurës së tij, ku kolegia dhe mikja e tij për afro katër dekada, Prof. Rubena Moisiu, ndau kujtime dhe dëshmi mbi kontributin e një prej themeluesve të neonatologjisë moderne shqiptare, që u nda nga jeta pak javë më parë.
“Mjekësia shqiptare ka humbur shumë. Për mua e humbi që kur doli në pension dhe më pas me largimin e tij nga jeta humbi një njeri të pazëvendësueshëm”, u shpreh Prof. Rubena Moisiu.
Sipas saj, Dr. Edi Tushe ishte mjeku që solli në Shqipëri koncepte dhe praktika që sot konsiderohen standarde në kujdesin neonatal, si kontakti “lëkurë me lëkurë” menjëherë pas lindjes dhe metoda “Kangaroo Mother Care” për të porsalindurit me peshë të ulët.
“Ne në fillim mendonim se ishin ide të parealizueshme, por ai kishte vizion. Sot këto metoda përdoren kudo dhe kanë dhënë rezultate të jashtëzakonshme”, tha ajo.
Moisiu tregoi se ishte pikërisht Dr. Tushe ai që këmbënguli që neonatologjia të njihej si specialitet më vete në Shqipëri, duke ndarë kujdesin ndaj të porsalindurve nga pediatria e përgjithshme.
Një nga veçoritë që e dallonte ishte mënyra se si e konceptonte trajtimin.
“Trajtimi për Edin nuk nënkuptonte të jepje menjëherë antibiotikë apo receta. Ai besonte se duhej trajtuar së pari fëmija me kujdes, dashuri dhe respekt, ndërsa organizmit duhej t’i jepej mundësia të luftonte vetë kur kjo ishte e mundur”, u shpreh ajo.
Sipas profesoreshës, Dr. Tushe ishte një mjek që fitonte besimin e prindërve përmes komunikimit.
“Ai rrinte më gjatë duke folur me prindërit sesa duke shkruar receta. I qetësonte, u shpjegonte gjithçka dhe krijonte një raport besimi që sot është shumë i rrallë.”
Moisiu kujtoi gjithashtu frymën e bashkëpunimit që ai ndërtoi në shërbimin e neonatologjisë.
“Nuk punonte kurrë vetëm. Na mësoi të lexonim literaturën shkencore, të diskutonim në grup dhe të ndërtonim protokolle së bashku. Ai krijoi një brez të tërë neonatologësh.”
Një tjetër moment që ajo veçoi ishte ulja e ndjeshme e vdekshmërisë neonatale gjatë viteve kur Dr. Tushe drejtonte shërbimin. “Në atë periudhë arritëm nivelin më të ulët të vdekshmërisë neonatale për kohën. Ishte rezultat i vizionit, këmbënguljes dhe punës së tij.”
Përtej profesionistit, Prof. Moisiu e përshkroi Dr. Edi Tushen si një njeri të urtë, që nuk fliste kurrë keq për askënd dhe që dinte të sillte qetësi në çdo situatë.
“Për mua ishte edhe psikolog. Ai qetësonte fillimisht prindin, sepse besonte se qetësia e prindit transmetohej edhe tek fëmija.”
Në fund të intervistës, ajo bëri të ditur se një grup mjekësh ka propozuar që shërbimi i neonatologjisë të mbajë emrin e Dr. Eduard Tushes, si një formë mirënjohjeje për njeriun që hodhi themelet e këtij specialiteti në Shqipëri.
Specialja e emisionit “Diagnozë” solli jo vetëm kujtime për një mjek të jashtëzakonshëm, por edhe mesazhin se trashëgimia e tij vazhdon të jetojë në brezat e mjekëve që ai formoi dhe në mijëra fëmijë, jetët e të cilëve u prekën nga përkushtimi i tij. (A2 Televizion)