Zgjedhje apo votime? Universitetet vendosin drejtuesit e rinj, mungon gara

Nga Ornela Joti
21 Qershor 2024, 15:39 | Aktualitet

12 Universitetet publike zgjedhin drejtuesit e rinj të këtyre institucioneve. 6500 pedagogë dhe rreth 88 mijë studentë  janë votues për  rektorët, dekanët e rinj dhe organet e tjera drejtuese.

Procesi ka nisur në orën 8 të mëngjesit  në çdo fakultet të  vendit, ndërsa mediat nuk janë lejuar në ambientet e brendshme të votimit.

Si rrallë herë, në shumë universitete mungonte gara mes kandidatëve për rektor e dekan. Në 90% të Universiteteve të kryeqytetit u zhvilluan votime, por jo zgjedhje.

Universitetet më të mëdha të vendit, ai i Tiranës, Politekniku, ai i Mjekësisë ,Universiteti Bujqësor dhe i Sporteve  kanë vetëm nga një kandidat për drejtimin e këtyrë institucioneve për 4 vitet e ardhshme.

Për shoqërinë civile, ky proces pa garë tregon mungesën e vizionit të  institucioneve të arsimit të lartë ne vend.

Më indiferent në këtë proces dukeshin studentët. Më shumë se sa pesha prej  10% e votës së tyre, për ta me interes kanë provimet dhe rezultate e tyre.

Ndryshe nga Tirana, gara mes stafeve akademike ndihet në Universitetet e rretheve ku ka më shumë se dy kandidatura për postin e rektorit.

Edhe aty ku gara mungon kandidati i vetëm në këtë proces duhet të sigurojë mbi 50%  të votave për të marrë mandatin, në të kundërt zgjedhjet shpallen të pavlefshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos