
Të paktën 227 forca operacionale, 16 mjete zjarrfikëse dhe mbështetëse, si dhe mjete ajrore janë angazhuar në operacionet për menaxhimin e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë operacioneve të ditës së sotme janë kryer edhe 4 ndërhyrje nga ajri, me 3 helikopterë dhe një avion të tipit Air Tractor.
Në qarkun Tiranë, në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit Selita, gjatë mesditës janë rishfaqur disa vatra zjarri. Forcat në terren vijojnë ndërhyrjen dhe monitorimin, ndërsa sipas autoriteteve nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në Cikallesh të Kavajës, intensiteti i zjarrit ka rënë ndjeshëm dhe vatra po shkon drejt shuarjes së plotë pas ndërhyrjes së strukturave zjarrfikëse dhe mbështetjes nga ajri.
Ndërkohë, në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.
Në qarkun Fier, në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht të Mallakastrës, zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Edhe vatra në zonën Koilac–Greshicë raportohet nën kontroll.
Në Abazë të Krujës, situata është stabilizuar. Në terren kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, kryesisht në zona me terren të vështirë.
Në operacion janë të angazhuara strukturat e Emergjencave Civile, Bashkia Krujë, MZSH-ja, shërbimi pyjor dhe Prefektura e Qarkut Durrës. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata paraqitet më problematike në Vilëz të Kurbinit, ku zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe erës, flakët rrezikonin kishën, varrezat dhe disa banesa në zonë. Për përballimin e situatës janë angazhuar rreth 50 forca nga MZSH-ja, Emergjencat Civile, Policia, strukturat vendore, shërbimi pyjor dhe vullnetarë.
Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka ndihmuar në ndalimin e përparimit të flakëve, duke shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.
Megjithatë, vatra në Vilëz mbetet aktive dhe vijon ndërhyrja e forcave në terren për izolimin dhe shuarjen e saj.
Autoritetet po vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat ku janë evidentuar vatra zjarri, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe zonave të banuara. (A2 Televizion)