Kreu i Zjarrfikësve, Arben Cara, ka dhënë detaje për situatën e zjarreve në vend. Në një intervistë në Puls me Bruna Çifligun në A2 CNN, ai u ndal te vatra e zjarrit e së shtunës në Krujë, e cila përfshiu një sipërfaqe të gjerë dhe iu afrua zonave të banuara. Sipas tij situata ishte e vështirë për shkak të terrenit dhe erës së fortë. Cara tregon se për përballimin e flakëve u kërkua mbështetje nga bashkitë e tjera dhe në operacion u angazhuan forca e mjete nga më shumë se 40 bashki.
“Në zonën e Krujës na është dashur që të kërkojmë ndihmë nga të gjitha bashkitë në gjithë territorin e republikës, por kryesisht bashkitë që ishin më të afërta dhe ka pasur një angazhim solidaritet të jashtëzakonshëm, ku janë angazhuar për të ardhur për të ardhur në ndihmë më shumë se 40 bashki të cilat sollën mjete dhe forca për gjatë gjithë natës dhe ajo nxori dhe rezultatin jashtëzakonshëm ku në gjithë atë katrahurë, gjithë atë zjarr masiv, i cili ishte në zonën e Krujës nuk lamë të digjej asnjë banesë edhe pse zjarri i kishte kapluar në të gjitha anët zjarrëfikësit bënë të pamundurën që përgjatë gjithë natës të mbronin çdo banesë me çdo lloj çmimi”, tha Cara.
Cara tregon se vështirësi u hasën edhe në evakuimin e banorëve.
“Por jo vetëm kaq, Policia e Shtetit ka bërë të mundur evakuimin. Ka qenë një vështirësi e madhe në evakuimin e banorëve, pasi vetë ata nuk e kuptonin rrezikun dhe ishte vështirë lëvizje nga banesat e tyre. Por duke bërë një punë bindëse, duke argumentuar që jeta absolutisht shumë më e shtrenjtë, duke ju dhënë atyre garanci që ne me çdo çmim do mbrojmë banesat e tuaja, ata na mirëkuptuan dhe patëm një koordinim dhe bashkëpunim të jashtëzakonshëm edhe në menaxhimin e popullatës që është një është një hall më vetë në ato momente, sepse jo të gjithë kuptojnë rëndësinë e situatës në të cilat ndodhet dhe shërbimi”.
Ndërhyrja nga ajri ka qenë një nga elementët kryesorë të operacionit. Sipas kreut të zjarrfikësve, në terren kanë operuar 5 helikopterë dhe një avion, veçanërisht në zonat ku terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrjen e mjeteve tokësore.
Cara bëri me dije se në Krujë nuk është djegur asnjë banesë, ndërsa është dëmtuar një magazinë e një subjekti privat. Ndërkohë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar për zjarrvënien.
Ai u bëri apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, duke theksuar se ndezja e zjarreve, edhe kur bëhet pa qëllim, mund të shkaktojë pasoja të rënda.
“Vendosja e zjarrit, me apo pa qëllim, është vepër penale e dënueshme sipas legjislacionit në fuqi”, u shpreh Cara.
Cara tha se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 23 vatra zjarri, gjashtë prej të cilave vijojnë aktive. Në operacione janë angazhuar rreth 500 forca operacionale, 66 automjete zjarrfikëse dhe rreth 247 efektivë të Forcave të Armatosura
Sipas tij, situata gjatë orëve në vijim do të varet kryesisht nga temperaturat dhe era. Zjarri përhapet me shpejtësi në kushtet e erës së fortë, ndërsa terreni i vështirë e komplikon ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. (A2 Televizion)