Banka e Shqipërisë shënjoi sot 100 vjetorin e krijimit. Guvernatori Gent Sejko kërkoi politika për mbajtjen e fuqisë punëtore në vend, ndërsa kryeministri Edi Rama këshilloi orientimin drejt Inteligjencës Artificiale. Një fjalë përshëndetëse shoqëruar me sugjerime patën Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde dhe Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.
Shtetet e tjera më të pasura rrezikojnë t’i marrin Shqipërisë fuqinë punëtore... vendi duhet të identifikojë dhe zhvillojë avantazhet konkurruese Shqetësimin e ngriti guvernatori Gent Sejko në konferencën e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë.
“Si një vend me të ardhura të mesme, Shqipëria është tashmë e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë për kapital e fuqi punëtore në tregun evropian. Po ashtu, Shqipërisë i duhet të bazojë gjithnjë e më shumë modelin e saj të zhvillimit te rritja e produktivitetit, inovacioni, si dhe identifikimi dhe zhvillimi i avantazheve të saj krahasuese. Kjo sfidë e fundit bëhet edhe më e komplekse në prani të trendeve të pafavorshme demografike - në Shqipëri, rajon e më gjerë -, të cilat vendosin një premium të lartë për fuqi punëtore të kualifikuar”, deklaroi Gent Sejko.
Një tjetër sfidë për ekonominë shqiptare, sipas guvernatorit është rritja e tensioneve gjeopolitike. Sejko ndërkohë foli edhe për teknologjinë dhe inovacionin në sistemin bankar.
“Digjitalizimi i vazhdueshëm i sistemeve të pagesave, evoluimi i shpejtë dhe rritja e përdorimit të teknologjisë blockchain, të aseteve digjitale dhe të financës të decentralizuar, ka përfitimet dhe rreziqet e veta. Përfitimet e inovacionit vijnë nga reduktimi i kostove dhe zgjerimi i aksesit në financë, çka rrit eficiencën e industrisë financiare dhe kontributin e saj në zhvillimin e vendit”, deklaroi guvernatori i BSH, Gent Sejko.
Nga konferenca shkencore me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë se, kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e bërë nga institucioni më i lartë monetar në vend, ndërsa kërkoi që kjo e fundit të shikojë përtej të sotmes dhe shumë më larg në të ardhmen drejt Inteligjencës Artificiale.
“Bankat Qendrore duhet të mendojnë bashkërisht për ekuilibrat përtej kufijve kombëtarë. Sot digjitalizimi me AI dhe zhvillimet në botën e parasë, pagesat e menjëhershme, bankat digjitale, kriptomonedhat sjellin me vete oportunitete të jashtëzakonshme dhe dilema të jashtëzakonshme po ashtu”, u shpreh Rama.
Një fjalë përshëndetëse shoqëruar me sugjerime patën Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde dhe Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.
Në vitin 1995 Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë ishte më pak se 15% e mesatares së BE-së, sot ai është më shumë se dyfishuar, duke arritur rreth 35% të saj. Standardet në rritje të jetesës janë mbështetur nga hapja gjithnjë e më e madhe e Shqipërisë ndaj tregtisë ndërkombëtare.
“Reagimi ndaj krizës botërore financiare të rritjes së kredive me probleme apo ndërmarrja e operacioneve të shpejta dhe të shënjestruara gjatë pandemisë. Banka ka hedhur një themel të fortë për rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e vendit”, tha Kristalina Georgieva, Drejtoresha e FMN.
Në konferencën e organizuar për 100 vjetorin e Bankës së Shqipërisë, guvernatori Gent Sejko prezantoi dhe një monedhë të re me rastin e këtij viti jubilar për këtë institucion. Bëhet fjalë për një monedhë me vlerë 100 lekë, e cila nuk do të hidhet në treg por është përgatitur vetëm për këtë event. (A2 Televizion)
