Tatëpjeta e eksporteve shqiptare vijoi edhe në qershor. Nga mbi 38 miliardë lekë një vit më parë, muajin e shkuar në tregjet e huaja u shitën mallra që kushtuan më pak se 35 miliardë lekë. Marrë që nga fillimi i vitit, rezulton se kompanitë shqiptare kanë shitur 35 miliardë lekë më pak mallra në tregjet e huaja.
Me kursin aktual të këmbimit, humbjet përllogariten në rreth 349 milionë euro apo 15 për qind.
“Efektet nga “superleku” po vijojnë duke mbajtur në krizë eksportet shqiptare. Duhet kohë e gjatë për të dal nga kjo situatë. Nga na tjetër, turizmi nuk po i jep hov prodhimit vendas duke bërë që eksportet e këtyre kategori produktesh të tkurren”, tha Zef Preçi, ekspert për ekonominë.
Duke ndjekur trajektore gati të njëjtë për të gjashtë muajt e këtij viti, eksporteve e ushqimeve dhe pijeve u tkurrën me 6 për qind në qershor. Po ashtu, në tregjet e huaja muajin e shkuar u shitën edhe më pak veshje këpucë duke theksuar “krizën e fasonit”, ndërsa mungesa e reshjeve gjithashtu tkurri me 0.5 për qind eksportet e energjisë elektrike në raport me një vit më parë.
“Unë besoj se kriza vijon dhe prilli nuk duhet konsideruar si periudhë relaksi. qeveria duhet të ndihmojë eksportuesit. Janë motori ekonomik i ekonomisë dhe falimenti i tyre është lajm i keq për të gjithë”, tha Preçi.
Me gjithë shifrat në rritje që raportohen për turizmin, importet e mallrave kanë mbetur thuajse në vendnumëro. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në gjysmën e parë të vitit, importet janë zgjeruar me vetëm 0.5 për qind, ndërsa turimi është rritur me 34 për qind.
“Që të themi se kemi më shumë prodhim vendas nuk mundemi paso do të kishim edhe më shumë eksporte. Thjesht tregon se konsumi ka mbetur në vendnumëro”, tha eksperti.
Rënia më e madhe e eksporteve në gjysmën e parë të vitit u regjistrua me Italinë, Greqinë dhe Kosovën, ndërsa me Kinën u zgjeruan me 25 për qind. Me eksportet në rënie dhe importet të zgjeruara lehtë, bilanci i tregtisë së jashtme të vendit në u mbyll me gati 204 miliardë lekë deficit, pra importe më shumë se eksporte. (A2 Televizion)