"40 mijë aplikime nga bujqit e blegtorët" Shtyhet afati për skemën për fermerët, marrëveshje të reja Shqipëri-Kosovë

Nga Marjo Brakaj
26 Qershor 2026, 15:09 | Ekonomi

Bujqit dhe blegtorët shqiptarë do të kenë edhe 10 ditë të tjera kohë për të aplikuar për masat mbështetëse në kuadër të Skemës Kombëtare në Bujqësi dhe Blegtori. Nga 26 qershori që ishte afati i fundit për aplikime, procesi do të jetë i hapur deri më 6 korrik.

“Këto ditë kemi pasur një rritje të ndjeshme të numrit të aplikimeve. Për t’u dhënë mundësi sa më shumë fermerëve të bëhen pjesë e Skemës Kombëtare, kemi vendosur ta shtyjmë afatin edhe me 10 ditë. Deri më tani kanë aplikuar rreth 40 mijë fermerë, ndërsa interesi është shtrirë pothuajse në të gjitha 12 masat mbështetëse të skemës”, tha Salla.

Nga konferenca e përbashkët me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovë, Armend Muja.... ministri Salla dha disa sqarime mbi afatet dhe kushtet për zbatimin e projektligjit “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”.

“Nuk është për tu miratuar tani. dhe është një proces që do vite për tu konsultuar, për t’u amenduar dhe për të pasur ne një proces të tillë... akoma më keq për të pasur një proces të tillë për ta miratuar tani në aspektin ligjor. Ndaj do na duhet kohë apo hapësirë për ta kaluar në një aspekt tjetër ligjor”, u shpreh ministri.

Sqarime ministri Andis Salla u përpoq të jepte edhe mbi rastin e përsëritur të helmimit të kursantëve te Akademia e Sigurisë.

“Në helmimin e parë nuk rezultoi helmim nga ushqimet, por problematika lidhej me higjienën. Do të presim rezultatet e analizave që pritet të dalin sot për të përcaktuar shkakun e këtij rasti dhe për të identifikuar problematikën që duhet parandaluar përmes Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, theksoi Salla.

Çështja e sigurisë ushqimore është po ashtu një shqetësim edhe në Kosovë ndaj ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të vendit tjetër shqipfolës, Armend Muja, tregoi mbi planet për të parandaluar rastet e hyrjes në territor të produkteve të kontaminuara.

“Jemi duke bashkëpunuar me Shqipërinë, Malin e Zi dhe vendet të tjera për të ngritur një sistem kontrolli efikas me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore”, tha ministri Muja.

Pas konferencës ministrat Andis Salla dhe Armend Muja firmosën dy marrëveshje me qëllim forcimin e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural mes Shqipërisë dhe Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos